Vllasi: Kosova s’është ajo e viteve të 90-ta, mund t’i parandalojë sulmet e Serbisë

2 minutes, 10 seconds Read

Avokati dhe politikani kosovar, Azem Vllasi, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk ka çfarë të kërkojë në diskutimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse sipas tij, kjo është çështje që i përket ekskluzivisht Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit serb që përbën shumicën në pjesën veriore të territorit.

Në një intervistë për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1”, politikani veteran ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk duhet të shihet sikur një lloj i tretë i pushtetit, por një formë bashkësie që merret me çështje specifike që prektin interesat e komunititetit serb, derisa ka shtuar se duhet të jetë në përputhje me rendin juridik të Kosovës.

“Kjo nuk mund të ndodhë. Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të jetë formë e bashkëpunimit për disa çështje specifike të rëndësishme për komunitetin serb, por të gjitha në kuadër të rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës. Ajo duhet të jetë ekskluzivisht punë e Qeverisë së Kosovës dhe serbëve lokalë. Vuçiç nuk ka çfarë të kërkojë”, ka thënë Vllasi.

Derisa ka komentuar sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit, ai ka theksuar se ideja e Serbisë për ndarjen dhe aneksimin e pjesës veriore të Kosovës ka dështuar plotësisht, sepse sipas tij, nuk mund të ketë më ndarje dhe kufij të rinjë në hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Ai ka shtuar se Serbia përbën kërcënim për të gjithë fqinjët që e rrethojnë.

“Vuçiçi vazhdimisht ëndërron për këtë. Nuk do të ketë më kurrë pushtet në Kosovë. Shansi që Serbia të sundojë sërish Kosovën është i njëjtë me atë që Perandoria Osmani të kthehet në këto zona pas vitit 1912. Ata dëshirojnë ta ndajnë veriun nga Kosova, ashtu siç do dëshirojnë të bëjnë të njëjtën gjë me Republikën Sërpska në Bosnje-Hercegovinë”, ka potencuar Vllasi.

Vllasi ka deklaruar se ndonëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk do t’ia kthejnë shpinën rajonit dhe do të vazhdojnë të mbesin garant i paqes, ka shtuar se “Serbia nuk ka më forcë dhe aftësi për të bërë atë që e kishte bërë 30 vjet më parë”, por as “Kosova nuk është ajo e viteve të 90-ta” dhe mund t’i parandalojë sulmet potenciale që mund të vijnë nga Serbia.

Publikime te ngjashme