Viti 2026 nis me rritjen e çmimeve për shërbimet e gjykatave dhe avokateve! Rritja shkon nga 100% deri në 1000%

3 minutes, 25 seconds Read

Në një kohë kur shportat e familjeve kosovare po zbrazen çdo ditë e më shumë nga shtrenjtimi i pamëshirshëm i jetesës, një goditje e re dhe e rëndë vjen pikërisht nga aty ku pritej shpresa: nga sistemi i drejtësisë. Me hyrjen në fuqi të Udhëzimit të ri Administrativ Nr. 03/2025 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore, qasja në drejtësi për qytetarin e thjeshtë po shndërrohet nga një e drejtë kushtetuese në një luks të papërballueshëm.

Nëse dikur një qytetar për një kontest deri në 1,000 euro paguante një taksë prej 20 eurosh, sot, me rregullat e reja, kjo vlerë është trefishuar. Për çdo padi me vlerë deri në 5,000 euro, taksa fillestare është fiksuar në 60 euro. Por, tmerri nuk mbaron këtu:

  • Për kontestet nga 5,001 deri në 25,000 euro, taksa është rritur nga 60-100 euro sa ishte, në 150 euro.
  • Padia për pengim posedimi, një nga më të shpeshtat në gjykatat tona, është dyfishuar nga 50 në 100 euro.
  • Propozimi për sigurimin e provës ka pësuar rritjen më drastike, duke u rritur nga 30 euro në 100 euro — një rritje prej mbi 300%.

Për bizneset dhe qytetarët që ballafaqohen në Gjykatën Komerciale, situata është edhe më alarmante me shifra që shkojnë edhe deri në 1000% rritje. Për inicimin e një padie në gjykatën komerciale në vlerën e kontestit 0 deri 1000 euro, më parë një biznes ka paguar 20 euro, tash paguan 200 euro, dhe kjo është taksa më e vogel, apo vlera minimale për inicimin e një padie, e kjo vlerë shkon deri në 2500 euro për kontestet me vlera më të mëdha. Gjithashtu janë rritur edhe shërbimet tjera si nxjerrja e një vertetimi në gjykatën komerciale që ishte 5 euro, tashmë është bërë 20 euro.

Ku po shkojmë? A po tentojmë ta ulim numrin e lëndëve duke u mbyllur dyert e gjykatave atyre me të ardhura mesatare? A po mbesin Gjykatat tona strehë e oligarkeve?

Kjo rritje e taksave gjyqësore nuk vjen si e vetme. Ajo vjen pas dyfishimit tashmë edhe të tarifave të avokatëve që nisi po këtë janar, dhe në mes të shtrenjtimit të rrymës, ujit dhe produkteve bazë. Sot, për të kërkuar një të drejtë në gjykatë, edhe kur e drejta është në anën e tij, qytetari duhet të kalkulojë nëse do të paguajë taksën e padisë apo do të paguaj rrymen, ujin apo të blejë harqin e muajit. Është e dhimbshme të mendosh se shtesat e fëmijëve apo “paga e 13-të” po shihen si e vetmja shpresë për të mbuluar shpenzimet e një sistemi që duhej të ishte në shërbim të popullit, e jo barrë mbi kurrizin e tij të kërrur nga varfëria.

Thirrje për Ndërhyrje: Drejtësia nuk duhet të ketë çmim tregu!

Deri më tani, kemi parë qeverinë të reagojë dhe të ndërhyjë në uljen e tarifave për përmbaruesit dhe noterët, duke e cilësuar këtë si lehtësim për qytetarët, e për të cilën edhe është duartrokitur nga qytetarët. Por, e njëjta nuk duhet të hesht para rritjës unilatërale të tarifave në gjykata dhe nga avokatët, pa u bërë asnjë sqarim, asnjë matje e asnjë ekspertizë përkatëse për të arsyetuar të tilla rritje? Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por drejtësia e shtrenjtuar është drejtësi e rezervuar vetëm për të pasurit.

I bëjmë thirrje institucioneve kompetente dhe qeverisë: Ndërhyni! Mos lejoni që gjykatat tona të kthehen në zyra pagesash ku hyjnë vetëm ata me xhepa të mbushur. Drejtësia duhet të mbetet njerëzore, e arritshme dhe, mbi të gjitha, e barabartë për të gjithë, pavarësisht gjendjes ekonomike. Pa qasje në drejtësi, shteti i së drejtës mbetet vetëm një premtim i bukur në letër, ndërsa realiteti i qytetarit mbetet i hidhur dhe i pashpresë./lajmishqip.net

 

Publikime te ngjashme