Vetëvendosje ankohet se 716 vota të saj i janë regjistruar gabimisht një partie tjetër

1 minute, 12 seconds Read

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Getoar Mjeku, ka njoftuar se LVV ka paraqitur ankesë për pasaktësitë, sipas tij, në rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare që janë mbajtur më 09.02.2025.

Sipas Mjekut, 716 vota të LVV-së i janë regjistruar gabimisht subjektit politik Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar.

Sipas tij, këto pasaktësi kanë ndodhur në qendrat: 0104/01 ShFMU “Drita” Gramaçel në Deçan, qendra 0402/11 ShFMU “Thimi Mitko” Gjilan; në Saradran- Istog në qendrën 0617/02 ShFMU “Ismail Qemali”; qendra 1917/02 në shkollën “Ahmet Gashi” në Prishtinë; në 2010/01 ShFMU “Mati Logoreci” në Prizren si dhe qendra 2805/01 ShFMU “Petar Kocić”në Bubë të Zubin Potokut.

“Në këto vendvotime, Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar ka 58, 243, 135, 159 dhe 121 vota të raportuara, kurse Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka asnjë votë (me përjashtim të vendvotimit në Prizren, ku ka 5)”- tha Mjeku në rrjetin e tij social në Facebook më 11.02.2025.

Lidhur me këto pretendime të Mjekut, KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezin, dhe është në pritje të përgjigjes.

Me 99.53% të votave të numëruara deri në orën 17:20, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 340 mijë e 641 vota apo 40.89%.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.05% të votave apo 183 mijë e 661 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 17.62% apo 146 mijë e 815 vota.

Koalicioni AAK-NISMA, Intelektualët, Konservatorët kanë 7.46% të votave apo 62 mijë e 111.

Publikime te ngjashme