Gjykata Supreme ka vendosur në favor të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) në padinë kundër Qeverisë së Kosovës, duke shfuqizuar nenin 6, paragrafi 6, të Rregullores për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.
KDI kishte iniciuar këtë betejë ligjore duke kërkuar shfuqizimin e pjesshëm të këtij akti nënligjor, specifikisht pjesën që vendoste kufizime të paarsyeshme.
Zanafilla e çështjes daton në korrik të vitit 2025, kur KDI pranoi ankesa nga një grup ushtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Ata denoncuan shkeljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, pasi u ishte mohuar e drejta e plotë për kompensimin e udhëtimeve.
Pas shqyrtimit të lëndës, Gjykata Supreme vlerësoi se padia ishte e bazuar dhe konstatoi se dispozita e Qeverisë ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Neni i kontestuar kufizonte mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar vetëm për periudha deri në një muaj, një kufizim që nuk parashihet askund në ligj. Përkundrazi, Ligji për Pagat në Sektorin Publik e garanton qartë kompensimin e këtyre shpenzimeve për zyrtarët publikë, pa asnjë limit kohor.
Në aktgjykim, Gjykata Supreme theksoi se Qeveria ka autoritet vetëm të rregullojë procedurat dhe kushtet teknike, por nuk ka të drejtë të kufizojë vetë thelbin e së drejtës së garantuar me ligj. Sipas Gjykatës, ky kufizim njëmujor përbënte tejkalim të kompetencave të ekzekutivit. /lajmishqip.net
