Sllavko Alleksiq, udhëheqësi famëkeq çetnik dhe komandant i formacionit paramilitar “Detashmenti i Sarajevës së Re”, ka ndërruar jetë sot në Trebinje në moshën 69-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga banorët lokalë dhe raportohet gjerësisht nga mediat në Bosnjë e Hercegovinë.
Alleksiq do të mbahet mend si simbol i terrorit të snajperistëve mbi popullatën civile, veprimet e të cilit shënojnë një nga kapitujt më të errët në historinë bashkëkohore të Sarajevës dhe Bosnjës.
Aktivizimi i tij në strukturat nacionaliste nisi në fund të viteve ’80, ku kontribuoi në ripërtëritjen e lëvizjes çetnike dhe u anëtarësua në Partinë Radikale Serbe. Në mars të vitit 1992, ai mori komandën e njësisë me seli në Gërbavicë. Gjatë luftës, Alleksiq operoi në vijat e demarkacionit, specifikisht te varrezat hebraike, një nga pikat më të përgjakshme të konfliktit mes ushtrisë së Republikës Serbe dhe asaj të Bosnjës.
Përveç forcave serbe, ai komandoi edhe vullnetarë rusë dhe mbante titullin “vojvodë çetnik”, të cilin ia kishin dhënë figura radikale si Vojisllav Sheshel dhe Momçilo Gjujiq. Pas Marrëveshjes së Dejtonit, ai udhëhoqi tërheqjen serbe nga Gërbavica dhe u vendos në Hercegovinën lindore. Aty vazhdoi aktivitetin ideologjik përmes organizatave të “Ravna Gorës”, duke marrë pjesë në tubime revizioniste që glorifikonin rrethimin e Sarajevës.
Vitet e fundit, emri i tij u rikthye në vëmendje për shkak të hetimeve mbi rastin “Safari i Sarajevës” në Milano, që lidhet me gjuetinë e organizuar të snajperistëve ndaj civilëve. Disa media rajonale kanë përmendur edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si ish-vullnetar në njësitin e Alleksiqit gjatë asaj kohe.
Pavarësisht lidhjes së tij me shkelje të rënda të ligjit të luftës, Alleksiq nuk u dënua kurrë penalisht. Rrethimi i Sarajevës, më i gjati në historinë moderne (1,425 ditë), la pas mbi 11,500 të vrarë, përfshirë 1,600 fëmijë. Tribunali i Hagës e ka cilësuar këtë rrethim si fushatë të organizuar terrori dhe krim kundër njerëzimit. /lajmishqip.net
