Numri i të vdekurve në shpërthimin e fundit të radio-lidhjeve në Liban është rritur nga nëntë në 14 persona, ndërsa më shumë se 450 të tjerë u plagosën, njoftoi ministria libaneze e Shëndetësisë.
Shpërthimet ndodhën në disa qytete libaneze, vetëm një ditë pas një sulmi të gjerë, ku shpërthyen “pagers’ e përdorur kryesisht nga anëtarët e Hezbollahut, duke plagosur më shumë se 2800 njerëz dhe vrarë 12 libanez.
Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu lëshoi një deklaratë të shkurtër në të cilën ai premtoi të kthejë dhjetëra mijëra banorë të evakuuar nga zonat kufitare veriore në shtëpitë e tyre.
נחזיר את תושבי הצפון בביטחה לבתיהם. pic.twitter.com/3Zc22pS6C4
— Benjamin Netanyahu – בנימין נתניהו (@netanyahu) September 18, 2024
“E kam thënë tashmë, qytetarët e veriut do t’i kthejmë të sigurt në shtëpitë e tyre dhe pikërisht këtë do ta bëjmë”, pohoi ai.
Kreu i qeverisë izraelite nuk foli rreth shpërthimeve të fundit që synonin militantët e Hezbollahut në Liban.
Siç kemi raportuar më parë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant shpalli të mërkurën fillimin e një “faze të re” të luftës me fokus në frontin verior.
Ndryshe, Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për asnjë nga sulmet në Liban të martën dhe të mërkurën./Telegrafi