Valë arrestimesh në Iran: Dhjetëra të ndaluar nën akuzën e spiunazhit për Izraelin

1 minute, 0 seconds Read

Autoritetet iraniane kanë njoftuar arrestimin e 22 personave në provincën Qom, nën dyshimin për lidhje me shërbimet izraelite të spiunazhit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Fars”, arrestimet janë kryer gjatë javës së fundit.

Duke cituar kreun e inteligjencës policore në Qom, agjencia raporton se të ndaluarit akuzohen për “lidhje me shërbimet e spiunazhit të regjimit zionist, tronditje të opinionit publik dhe mbështetje për regjimin kriminal”.

Ky operacion pason një njoftim të mëparshëm nga policia iraniane për arrestimin e 24 personave të tjerë me akuza të ngjashme, duke përfshirë spiunazhin dhe përpjekjet për të dëmtuar imazhin e vendit. Mediat iraniane kanë raportuar se mes të arrestuarve gjendet edhe një shtetas evropian, pa specifikuar kombësinë e tij.

Në një zhvillim paralel, Organizata Norvegjeze “Iran Human Rights” ka ngritur alarmin, duke deklaruar se numri i personave të arrestuar së fundmi në të gjithë Iranin nën akuzat për bashkëpunim me Izraelin ka arritur në të paktën 223. Organizata ka shprehur shqetësim të thellë për këtë valë arrestimesh, duke paralajmëruar se “shifra reale mund të jetë edhe më e lartë”, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme