Ukraina kritikon ashpër Serbinë: Dënimi i Maidan-it është i barabartë me dënimin e kryengritjeve serbe

1 minute, 52 seconds Read

Ambasada e Ukrainës në Beograd njoftoi se dënimi i “Maidanit” të parë ose të dytë ukrainas në Serbi është i barabartë me dënimin e Kryengritjes së Parë ose të Dytë Serbe, dhe se është e papranueshme të paraqitet zgjedhja evropiane e ukrainasve në një kontekst negativ.

Ambasada ukrainase iu referua deklaratave të politikanëve serbë, që i karakterizuan protestat në Serbi si “një përpjekje për një Maidan të ri”, transmeton Telegrafi.

“Për mua çdo përpjekje për të hyrë në institucione është dramatike, dhe tregon synimin për të përdorur dhunën për të ndryshuar vullnetin elektoral të qytetarëve të tjerë të Beogradit”, tha kryeministrja serbe, Ana Brnabiq.

“Në hapësirën politike dhe informative të Serbisë, përsëri përmendet Revolucioni i Dinjitetit në Ukrainë (Maidan), i cili shpesh tentohet të japë vlerësime negative. Dënimi i Maidanit të parë ose të dytë ukrainas në Serbi është i barabartë me dënimin e Kryengritjes së Parë apo e Dytë serbe, të cilat gjithashtu përfaqësojnë revolucione të dinjitetit të popullit serb dhe që e ngritën shtetin serb nga hiri”, thuhet nga ambasada ukrainase.

Ambasada shtoi se shteti i Ukrainës në asnjë mënyrë nuk ndërhyn në situatën e brendshme politike në Serbi, dhe se “konsideron si përpjekje të papranueshme për të shtrembëruar historinë e Ukrainës, veçanërisht duke e paraqitur zgjedhjen e vetëdijshme evropiane të popullit ukrainas në një kontekst negativ”.

“Ne duhet të tërheqim edhe një herë vëmendjen për faktin se problemi i Ukrainës dhe Evropës nuk është zgjedhja evropiane e popullit ukrainas, por agresioni rus kundër shtetit sovran dhe të pavarur të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

Ambasada shtoi se “bazohet në dënimin publik të agresionit brutal të Rusisë, udhëheqja e së cilës vendosi të nisë një luftë të gjithanshme kundër Ukrainës për ta ndëshkuar atë për dëshirën e saj për liri dhe zgjedhjen e rrugës së saj, me një shkelje brutale të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare – pavarësia politike dhe integriteti territorial i shteteve”. /Telegrafi

Publikime te ngjashme