Forcat e Operacioneve Speciale të Ukrainës kanë njoftuar për një sulm të suksesshëm kundër depove të naftës në rajonin e pushtuar të Luhanskut nga Rusia.

Pamjet termike të publikuara nga SSO tregojnë dronë që afrohen drejt cisternave të karburantit të vendosura pranë shinave hekurudhore, përpara se t’i përfshijnë flakët që ndriçojnë natën, të regjistruara nga kamerat termike.

Sipas njoftimit zyrtar, sulmi ndodhi gjatë natës mes së dielës dhe së hënës në territorin e pushtuar të Luhanskut, pa u bërë e ditur vendndodhja e saktë.

“Natën e 27 tetorit, njësitë e Forcave të Operacioneve Speciale goditën me sukses objektet e ushtrisë ruse. Depot e karburantit ndodheshin në territorin e pushtuar përkohësisht të rajonit të Luhanskut të Ukrainës,” thuhet në deklaratën e SSO-së.

Zyrtarë lokalë të rajonit të kontrolluar nga Rusia konfirmuan se dy depo të karburantit dhe disa ndërtesa ndihmëse u qëlluan gjatë natës.

“Sulmi dëmtoi ndërtesa administrative, disa kamionë karburanti dhe cisterna. Punonjësit u evakuuan menjëherë dhe nuk pati të lënduar,” deklaroi Andrey Eliseev, zëvendësministër i karburantit, energjisë dhe qymyrit në të ashtuquajturën Republikë Popullore e Luhanskut (LPR).

Operacioni i fundit është pjesë e një fushate disa mujore të Kievit për të goditur infrastrukturën energjetike ruse, duke synuar uljen e të ardhurave të Moskës nga karburantet dhe prishjen e zinxhirit logjistik ushtarak.

Në mes të tetorit, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës konfirmoi sulme në disa objektiva strategjike në Krimenë e pushtuar, përfshirë Terminalin Detar të Naftës Feodosia dhe disa nënstacione të rëndësishme elektrike.

Në fillim të muajit, imazhet satelitore dëshmuan zjarr në fabrikën më të madhe të përpunimit të gazit në Distriktin Federal Jugor të Rusisë, pas një sulmi të dyshuar me dron ukrainas./lajmishqip.net