Turqia e shqetësuar për përshkallëzimin e tensioneve në Kosovë, apelon për përmbajtje

1 minute, 18 seconds Read

Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes u ka bërë thirrje të gjitha palëve në veri të Kosovës që të shmangin dhunën dhe të mos ndërmarrin veprime që do të çonin në përshkallëzim të tensioneve, transmeton Anadolu.

Ministria turke në një njoftim tha se ngjarjet në veri të Kosovës po ndiqen me shqetësim dhe se këto ngjarje shkaktojnë dëme në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

“Ne vlerësojmë rolin konstruktiv të KFOR-it në parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve. Me pikëllim mësuam se disa ushtarë të KFOR-it u plagosën në incidente”, tha ministria turke.

Ministria turke po ashtu theksoi se e vetmja mënyrë për uljen e tensioneve dhe vendosjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon është përparimi në procesin e dialogut në vazhdim.

Kujtojmë se demonstruesit serbë u tubuan jashtë objektit të komunës së Zveçanit për të ndaluar hyrjen e kryetarëve të sapozgjedhur shqiptarë në ndërtesën komunale.

Policia njoftoi se demonstruesit tentuan të thyejnë kordonin e policisë para komunës, duke shtuar se ata përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Njësitë e KFOR-it gjithashtu përdorën gaz lotsjellës dhe shok bomba për të shpërndarë turmën, të cilët refuzuan të tërhiqen dhe u përgjigjën duke hedhur gjë sende të forta ndaj forcave të KFOR-it.

Në rajon po ashtu janë dëgjuar shumë të shtëna armësh.

Publikime te ngjashme