Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka komentuar ecurinë e negociatave me Iranin, duke nënvizuar se Uashingtoni mbetet fitues pavarësisht rezultatit përfundimtar të tyre. “Çfarëdo që të ndodhë, ne fitojmë”, deklaroi Trump para mediave në Shtëpinë e Bardhë, siç raporton Al Jazeera.
“E kemi shkatërruar plotësisht atë vend. Mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë më tutje. Ndoshta do të arrijnë një marrëveshje, mbase jo, por kjo nuk ka rëndësi. Nga perspektiva amerikane, ne jemi tashmë fitues”, shtoi kreu i shtetit amerikan, transmeton Ballkani.info.
Gjatë ditës, Donald Trump bëri të ditur gjithashtu se një numër i madh anijesh cisternë bosh tashmë po lundrojnë drejt Shteteve të Bashkuara për t’u furnizuar me naftë dhe gaz. Ai theksoi me forcë se SHBA-të zotërojnë rezerva më të mëdha dhe energji me cilësi shumë më të lartë se çdo shtet tjetër në botë.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur në Islamabad po zhvillohen bisedime të ndërmjetësuara nga Pakistani mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë. Teherani zyrtar po vazhdon të këmbëngulë në kushtet e tij përpara se të ulet në bisedime të drejtpërdrejta që synojnë t’i japin fund luftës.
Në fjalimin e tij të radhës, Trump potencoi se SHBA-të po nisin procesin e pastrimit të Ngushticës së Hormuzit nga minat detare. Ai e cilësoi këtë veprim si një “shërbim për botën”, duke përfshirë këtu importuesit e mëdhenj të energjisë si Kina, Japonia dhe vendet evropiane.
Krahas kritikave për dobësimin e fuqisë ushtarake të Iranit, Trump akuzoi edhe aleatët për mungesë vullneti në sigurimin e kësaj rruge kyçe detare. Ai paralajmëroi prerazi se Irani nuk duhet të guxojë të vendosë tarifa për kalimin e tankerëve në Hormuz, zonë e cila mbetet epiqendra e krizës globale të energjisë për shkak të konfliktit./lajmishqip.net
