Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, duke e akuzuar atë se po kërkon të “përfshihet në luftëra pasi ne tashmë kemi fituar”. Në një qëndrim mjaft sfidues, Trump deklaroi prerë se SHBA-ja nuk ka më nevojë për mbështetjen e transportuesve të avionëve britanikë.
Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, Trump ironizoi lëvizjet e fundit të Londrës zyrtare. “Mbretëria e Bashkuar, dikur aleati ynë i madh, ndoshta më i rëndësishmi nga të gjithë, më në fund po konsideron seriozisht dërgimin e dy transportuesve të avionëve në Lindjen e Mesme. Është në rregull, kryeministër Starmer, por nuk na duhen më – megjithatë do ta mbajmë mend. Nuk kemi nevojë për njerëz që bashkohen në luftë pasi fitorja është arritur,” shkroi ai.
Ky reagim i ashpër pason raportimet e BBC-së, sipas të cilave transportuesi i avionëve HMS Prince of Wales është vendosur në një gjendje gatishmërie të avancuar për t’u dislokuar në rajon. Deklaratat e presidentit amerikan shpërfaqin një krisje të mundshme në koordinimin ushtarak mes dy fuqive perëndimore.
Ndërkohë, zhvillimet në terren tregojnë një tjetër dinamikë. Avionët bombardues strategjikë B-1 u panë duke u ulur në bazën RAF Fairford, menjëherë pasi Mbretëria e Bashkuar i dha dritën jeshile SHBA-së për të përdorur bazat e saj ushtarake. Ky bashkëpunim synon realizimin e sulmeve mbrojtëse kundër agresionit raketor iranian në rajon. /lajmishqip.net









