Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, po planifikon të udhëtojë në Washington të premten për një takim të drejtpërdrejtë me presidentin amerikan, Donald Trump, sipas një burimi nga qeveria ukrainase.
Burimi i tha Sky News se data e takimit është propozuar nga pala amerikane, ndërsa vizita e Zelenskyt vjen pas dakordimit të Ukrainës me SHBA-në për një marrëveshje të rëndësishme mbi mineralet.
Marrëveshja përfshin krijimin e një fondi të ri për investime në mineralet strategjike, materialet e rralla dhe burimet natyrore të vlefshme të Ukrainës.
Ndryshe nga kërkesa fillestare e SHBA-së, marrëveshja nuk përmban më kushtin që Uashingtoni të ketë të drejtën për të marrë deri në 500 miliardë dollarë nga të ardhurat e mundshme nga këto burime.
Takimi mes Zelenskyt dhe Trumpit pritet të fokusohet në detajet e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik dhe mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.