Trump përjashton Kanadanë nga Bordi i Paqes: Goditje e drejtpërdrejtë për kryeministrin Carney

1 minute, 18 seconds Read

Pas fjalimit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se ka tërhequr ftesën për kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, për t’u bërë pjesë e “Bordit të Paqes”.

Lajmi u bë i ditur përmes një letre zyrtare drejtuar Carneyt, në të cilën Trump thekson se Bordi i Paqes ka vendosur të tërheqë ftesën për përfshirjen e Kanadasë në këtë forum.

“I nderuar kryeministri Carney, ju lutem le të shërbejë kjo letër si njoftim se Bordi i Paqes po e tërheq ftesën e bërë për ju lidhur me anëtarësimin e Kanadasë në atë që do të jetë Bordi më prestigjioz i liderëve i mbledhur ndonjëherë, në çdo kohë”, thuhet në letrën e Trumpit, të cilën e ka publikuar në rrjetet sociale.

Trump nuk dha detaje të mëtejshme mbi arsyet e këtij vendimi, ndërsa nga zyra e kryeministrit kanadez nuk pati reagim të menjëhershëm.

Ky zhvillim vjen në një kohë tensionesh politike dhe deklaratash të forta të Trump ndaj aleatëve tradicionalë të SHBA-së, veçanërisht në çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë globale.

“Bordi i Paqes”, i promovuar nga Trump, është prezantuar si një platformë elitare që synon të mbledhë liderë botërorë për diskutime mbi paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Ndryshe, Kosova është një ndër shtetet themeluese të këtij bordi gjersa është përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.

Publikime te ngjashme