“Richard Grenell është njeri fantastik” mësohet t’i ketë thënë veç tjerash Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, Presidentes Vjosa Osmani në Paris, në ceremoninë e rihapjes së Notre Dame, para dy ditësh në Paris.
Presidentja Vjosa Osmani dy ditë më parë publikoi fotografi e më pas edhe pamje nga një bisedë e shkurtër me Presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump.
“Aleanca euroatlantike!”, ka shkruar Presidentja Osmani përbri fotografisë që publikoi me Presidentin Trump dhe Presidentin francez Emmanuel Macron, duke na rikthyer në kujtesë fjalimin e saj të fundvitit rreth rëndësisë së aleancave se ‘vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë’.
Nacionale mëson nga burime të afërta nga ky takim i shkurtër Osmani-Trump, se kur Presdienti i zgjedhur amerikan u njoftua me Osmanin – Presidente e Kosovës, ai ia rikujtoi emrin e Richard Grenell.
Burimet tona tregojnë se Presidenti Trump, e ka vlerësuar ish-emisarin amerikan Richard Grenell si një ‘njeri fantastik’ ndërkaq Nacionale merr vesh t’ia ketë përmendur Presidentes Osmani edhe rolin e tij ndërmjetësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në kohën kur Richard Grenell shërbeu si emisar special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun.
Burimet tregojnë se ish-emisari Richard Grenell, i cili pati një rol të madh edhe në fushatën e fundit presidenciale të Donald Trump, vazhdon të ketë ndikim te Presidenti i zgjedhur amerikan, pavarësisht se ende nuk ka marrë asnjë pozitë në administratën e re të z.Trump.
Emri i Richard Grenell është përmendur në disa pozita që kur Donald Trump fitoi zgjedhjet në ShBA, ndërkohë Reuters ditë më parë raportoi se njeriu që e ka vëmendjen e Donald Trump, është emri që po shqyrtohet si i dërguar i posaçëm për konfliktin Ukrainë-Rusi.
Mbetet të shihet se çfarë roli do të ketë Grenell në administratën e dytë të Trumpit, ndërkohë që para zgjedhjeve, ai ishte zotuar se do t’i kushtonte vëmendje edhe Gjykatës Speciale në Hagë.
“Mezi pres që Presidenti Trump të fitojë sepse ne do ta nxjerrim Thaçin nga burgu. Është e papranueshme për europianët që ta kenë Presidentin Thaçi në burg, pa një gjyq, për akuza të rreme të gjitha të sajuara nga Jack Smith”,është një nga deklaratat më të bujshme të zotit Grenell.
Në kohën sa ishte emisar amerikan për dialogun, veç tjerash është arritur ajo që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020.
E njohur si një marrëveshje që në fokus kishte raportet ekonomike, megjithatë, nga ajo marrëveshje Kosova kishte përfituar edhe njohjen nga Izraeli, shteti i fundit që kur Kosova mori një njohje.