Tragjedia në resortin luksoz zviceran që la mbi 40 të vdekur: skandali me inspektimet dhe pyetjet që po tronditin Crans-Montana-n

1 minute, 51 seconds Read

Autoritetet zvicerane zbuluan të martën se bari në resortin luksoz të skijimit, ku humbën jetën 40 persona gjatë festimeve të Vitit të Ri, nuk ishte nënshtruar inspektimit të detyrueshëm vjetor të sigurisë që prej vitit 2019. Ky fakt ka ngritur dyshime serioze mbi masat mbrojtëse në lokalin “Le Constellation”.

Ndonëse bashkia e Crans-Montana-s sqaroi se lokali nuk posedonte alarm zjarri (pasi ligji nuk e kërkonte për përmasa të tilla), hetimet e njoftuara nga REL po nxjerrin në dritë detaje rrëqethëse.

Kush ishin viktimat? Bilanci është tragjik: 21 viktima ishin zviceranë, 7 francezë, 6 italianë, si dhe shtetas nga Rumania, Turqia, Belgjika e Portugalia. Mes të vdekurve trondit numri i të rinjve: 26 ishin adoleshentë, ku më të vegjlit ishin vetëm 14 vjeç. Nga 116 të plagosurit, shumica janë zviceranë, por ka edhe shtetas nga Australia, Polonia, Serbia e Bosnja.

Origjina e zjarrit dhe faji i materialit izolues Prokurorët dyshojnë se zjarri nisi nga “qirinjtë shatërvan” (fishekzjarrë dore) që punonjësit po mbanin mbi shpatulla për të shërbyer shishet. Shkëndijat ndezën tavanin e bodrumit, i cili ishte i veshur me shkumë izoluese akustike. Ndonëse ky material ishte lejuar në vitin 2019, mbetet të përcaktohet nëse autoritetet duhej të kishin rishikuar rrezikshmërinë e tij.

Hetimet dhe përgjegjësia ligjore Dyshimet shtohen edhe mbi daljet e emergjencës; nuk është konfirmuar ende nëse dalja e katin të poshtëm ishte funksionale. Për shkak se mosha mesatare e viktimave ishte vetëm 19 vjeç, banorët kujtojnë se lokali ishte vendi i preferuar për daljet e para të adoleshentëve.

Aktualisht, dy pronarët francezë janë nën hetim penal për vrasje, lëndim trupor dhe zjarrvënie nga pakujdesia. Ata rrezikojnë deri në katër vjet e gjysmë burgim, por dënimi mund të kalojë pesë vite nëse vërtetohet se ishin koshientë për rrezikun.

Reagimi i shtetit Zvicra ka pezulluar menjëherë planet për lehtësimin e rregullave kundër zjarrit, ndërsa në Crans-Montana janë ndaluar rreptësisht qirinjtë vezullues. Flamujt janë ulur në gjysmështizë dhe e premtja është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të viktimave./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme