Një 34-vjeçar kosovar është dënuar me burgim të përjetshëm në Mynih për tentativë vrasjeje ndaj ish-bashkëshortes së tij, duke i shkaktuar asaj mbi 20 plagë me thikë.
Gjykata e Landit në Mynih vërtetoi se i dënuari e sulmoi egërsisht gruan në prill të vitit 2025, në një shesh lojërash dhe në prani të djalit të tyre të mitur. Sipas autoriteteve gjyqësore, viktima shpëtoi vetëm falë një ndërhyrjeje kirurgjike tetë-orëshe, pasi lëndimet në organet vitale ishin kritike për jetën.
Kryetarja e trupit gjykues, Elisabeth Ehrl, deklaroi se nuk ekzistonte asnjë rrethanë lehtësuese për të zbutur dënimin ndaj të akuzuarit. Ndonëse ai e pranoi sulmin, gjykata e cilësoi rrëfimin e tij si tentim për minimizim të krimit, duke hedhur poshtë pretendimin absurd se thika shërbente vetëm për frikësim. Përkundrazi, u konstatua se bëhej fjalë për një vrasje të mbetur në tentativë, e planifikuar dhe e nxitur nga motive të ulëta.
Ky vendim nuk është ende i formës së prerë, pasi palët kanë të drejtë apelimi brenda një jave në Gjykatën Federale të Drejtësisë.
Ngjarja e rëndë u regjistrua vetëm dy ditë përpara seancës së divorcit mes çiftit.
Motivi kryesor i këtij akti brutal ishte refuzimi i burrit për të pranuar ndarjen dhe kërkesën e gruas për divorc.
Gjithashtu, ai ishte irrituar nga denoncimet e vazhdueshme të bashkëshortes për dhunë në familje, të cilën e kishte ushtruar edhe gjatë periudhave të saj të shtatzënisë. Gjykata vlerësoi se frika nga humbja e apartamentit dhe kujdestarisë së fëmijëve pas ndarjes ligjore shërbeu si shtysë shtesë për sulmin gjakatar.
Gjykatësja Ehrl theksoi se dënimi maksimal u dha pasi mbijetesa e viktimës ishte një mrekulli mjekësore, përballë një shkalle kaq të lartë të intensitetit kriminal. Gruaja vazhdon të përballet me pasoja të rënda fizike dhe trauma të thella psikologjike.
Fakti që krimi u krye në një hapësirë publike dhe para syve të fëmijës, ishte vendimtar për ashpërsinë e dënimit.
“Babi, çfarë bëre?”, ishte pyetja e djalit që tronditi sallën e gjyqit.
Ehrl i bëri thirrje të dënuarit të reflektojë gjatë kohës në qeli për tmerrin që i shkaktoi djalit të tij, i cili e pa nënën e mbuluar në gjak.
Gjatë procesit, i pandehuri pranoi se zëri i djalit të tij në momentin e krimit i ka mbetur i skalitur në kujtesë, duke u shprehur se kjo e kishte prekur thellë.
Pas masakrës, ai kishte telefonuar nënën e tij për t’i thënë “mbaroi punë”, duke i dërguar edhe fotografi të gruas së përgjakur. Arrestimi i tij u bë i mundur vetëm pasi policia e detyroi ta hidhte armën nën kërcënimin e zjarrit.
Viktima, e cila dëshmoi përmes video-lidhjes për shkak të gjendjes së rënduar, vazhdon të jetë e terrorizuar nga familja e ish-burrit. Për këtë arsye, gjykatësja u bëri thirrje familjarëve të pranishëm që të tregojnë njerëzi dhe ta lënë të qetë gruan e dëmtuar./lajmishqip.net

