Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ngjarjes së kobshme që ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Vraçar të Beogradit, ku një 14-vjeçar ka vrarë me armë zjarri rojën e shkollës “Vladislav Ribnikar” dhe tetë nxënës. Ai po ashtu ka lënë të plagosur rëndë edhe shtatë persona tjerë.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Kurti ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat dhe familjet e tyre.
Njëherit ai u ka uruar shërim të shpejtë edhe personave që kanë mbetur të plagosur nga të shtënat.
“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për viktimat e të shtënave në shkollë në Beograd dhe për familjet e tyre. Gjithashtu u uroj shërim sa më të shpejtë të lënduarve në këtë ngjarje tragjike”, shkroi Kurti.