Sulmi ndaj Hezbollahut! NYT: Izraeli prodhoi pajisjet, u kamufluan pas shoqërive ‘fantazma’

3 minutes, 24 seconds Read

Liban-Rritet bilanci i viktimave nga shpërthimet e telekomanduara të mijëra biperave (pagers) dhe pajisjeve elektronike minicelularë me të cilët ishin pajisur anëtarët e Hezbollahut në rajonin Liban-Siri, mes 17 dhe 18 Shtatorit.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se numri total i viktimave ka shkuar në 31 persona dhe i të plagosurve mbi 4300 (shifrat e deritanishme), nga të cilët një pjesë në gjendje të rëndë, kurse mbi 500 humbën shikimin.

Gazeta amerikane “New York Times” zbardh skemën, firma hungareze “BAC Consulting” ishte ‘guaskë’, pas saj dy shoqëri të tjera ‘fantazmë. fiktive, që fshihnin Izraelin si organizator. Plani nisi më 2022, kur Hezbollah nxori celularët nga përdorimi. Lideri i organizatës, Nasrallah kërkoi pajisjen me mjetet e reja elektronike, izraelitët u infiltruan deri në prodhimin e tyre dhe sigurimin që të mos gjurmoheshin dhe zbuloheshin.

Nga porosia, te fabrika e prodhimit dhe dorëzimit, gjithçka e kamufluar dhe fshehur mirë, si ‘preludi’ i spiunazhit botëror.

Mes të plagosurve që ka humbur shikimin edhe ambasadori i Iranit në Liban, kurse mes viktimave edhe djali i një deputeti, shkruan “La Repubblica”.

“Në hapësirën e pak minutave, mes të martës dhe të mërkurës, Izraeli shkaktoi të paktën 31 vdekje dhe mbi 4300 të plagosur në Liban, pa gjuajtur asnjë të shtënë: duke sabotuar zinxhirin elektronik të furnizimit të Hezbollahut, partia-lëvizja paraushtarake, aleate me Iranin, e cila kontrollon zona të mëdha të vendit dhe ulet në Parlament”, shkruan media në fjalë.

Nga ana tjetër ka nisur edhe përshkallëzimi me teknologji dhe logjistikë ushtarake, pasi prej ditës së djeshme Izraeli ka zhvendosur ushtrinë e tij nga Jugu i Gazës, drejt veriut, në kufi me Libanin, teksa pritet një front i ri lufte që të shpërthejë.

Nasrallah, Hezbollah dhe Teherani kanë paralajmëruar për hakmarrje, duke akuzuar Izraelin dhe Mossadin për sulm kibernetik terrorist dhe gjenocid, raporton “Reuters”.

Pas shpërthimeve të pagerëve të milicisë, dje kanë shpërthyer qindra pajisje elektronike (të quajtura edhe walkie-talkie), që funksiononin po si minicelularë komunikimi, ku orientoheshin anëtarët e Hezbollah për aktivitete të ndryshme.

Çudia sipas ekspertëve është fakti se si pas ditës së martë kur nisën shpërthimet masive të telekomanduara nëpërmjet programit spiun që aktivizoi baterinë, Hezbollah dhe anëtarët e saj nuk çaktivizuan pajisjet.

Këto të fundit rezultoi se ishin markë e kompanisë së Tajvanit, “Gold Apollo”, pronari i të cilës sqaroi opinionin botëror dhe mediat se ata kishin dhënë autorizim për prodhim e shitje ndaj një kompanie europiane “BAC Consulting”, me qendër në Budapest të Hungarisë, për rajone të caktuara, të cilën do e padisnin për keqpërdorim të imazhit dhe pasojës së shkaktuar.

Më 17 Shtator u raportua për të paktën 12 të vdekur, 2800 të plagosur, nga të cilët 500 me humbje shikimi dhe 200 më rëndë.

Kurse dje u regjistruan rreth 20 të vdekur dhe 450 të plagosur (numri i përgjithshëm i viktimave deklarohet 31 deri tani). Gjithashtu janë prekur edhe dy fëmijë. Shpërthyen edhe panele diellore, ku u dëmtua sistemi energjetik, banesa e dyqane, deri tek makinat dhe motorët ku ndodheshin pajisjet në fjalë. Pati shpërthime edhe në momentin e varrimit të viktimave të një ditë më parë.

Kombet e Bashkuara reaguan menjëherë, duke e dënuar sulmin kibernetik ndaj pajisjeve që përdorte Hezbollah:

“Mos i ktheni objektet civile në armë”, ishte reagimi i organizatës.

Edhe Këshilli i Sigurimit u mblodh për diskutime urgjente. Irani u ankua në OKB dhe akuzoi për gjenocid.

Ministri i Mbrojtjes së izraelit Yoav Gallant tha se tani nis një fazë e re e konfliktit, ndërsa Shefi i Shtabit të ushtrisë izraelite paralajmëroi Hezbollahun se ka shumë aftësi që ende nuk janë aktivizuar. Reagim pati edhe nga Benjamin Netanjahu i cili tha se do ta mbajë premtimin për t’i kthyer banorët e Veriut në shtëpitë e tyre.

Publikime te ngjashme