Steve Bannon, një nga figurat më me ndikim gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trump, ka intensifikuar sulmet e tij publike ndaj miliarderit Elon Musk, duke e akuzuar rëndë në një intervistë të re për gazetën italiane Corriere della Sera.
I kontaktuar sërish nga media italiane pas ftohjes së thellë të marrëdhënieve mes Musk dhe Trump, Bannon bëri thirrje për masa drastike. “Së pari, atij duhet t’i pezullohet certifikata e sigurisë, në pritje të hetimeve për drogë dhe për përfshirje me Kinën,” deklaroi Bannon. Duke shkuar më tej, ai shtoi: “A është Musk një emigrant i paligjshëm? Unë mendoj se po,” një pretendim ky në kundërshtim të plotë me faktin se Musk është shtetas amerikan që prej vitit 2002.
Bannon këmbënguli gjithashtu se administrata amerikane duhet të marrë kontroll mbi menaxhimin e kompanisë SpaceX, pasi sipas tij, Musk “ka kërcënuar të shkurtojë programin e saj më të madh, i cili tashmë financohet nga qeveria.”
Duke e përshkruar si një person “të paqëndrueshëm”, ish-strategu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se “nuk mund të vendosësh për gjëra të rëndësishme bazuar në teka individuale”. Kjo përplasje, sipas Bannon, ishte e pritshme. Ai e cilësoi themeluesin e Tesla-s si një individ mosmirënjohës, i cili nuk është pjesë e lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA) dhe “nuk e kupton Amerikën”.
Këto komente pasojnë një deklaratë të mëparshme të Bannon për të njëjtën gazetë, ku ai kishte pohuar se “Elon Musk do vetëm para” dhe se do të bënte gjithçka për ta mbajtur atë larg një administrate të dytë të mundshme të Trumpit.