Pas deklaratave të ashpra të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila i reagoi kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca që tha se për shkak që ishte në ShBA nuk kanë mundur të koordinohet për dërgimin e letrës në Këshillin e Evropës, deputetja e partisë “Guxo”, Jeta Statovci, tha në “60 Minuta” të KTV-së se “askush të mos presë çarje të raporteve”.
Statovci ka thënë se mendimet ndryshe ekzistojnë, por që sipas saj, kjo nuk nënkupton prishje të marrëdhënieve në nivel institucional apo personal.
“Askush të mos presë që të ketë çarje të raporteve në rrafshin institucional e edhe personal, këta janë përbashkuar në kuadër të kauzës së përbashkët dhe përkushtimit fisnik që kanë në raport me Kosovën. Ka mendime të ndryshme, edhe në kuadër të parimeve të demokracive mund të lejohen mendime e qasje ndryshe kështu që në mes të komunikimit të ndërmjetëm të qartësohen këto qëndrime”, ka deklaruar Statovci.