Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka tronditur opinionin publik me deklarata që janë cilësuar gjerësisht si nxitje e urrejtjes ndër-fetare. Në një fjalim të tij, të dokumentuar në videon e më poshtme ku shihet ta ketë mbajtur në hotel Sirius në Prishtinë, Kryeziu sulmon hapur fenë Islame, duke thënë se ajo “ka dalë nga shtrati” dhe se duhet të ndalet. Reagimet kanë qenë të ashpra në rrjetët sociale duke ftuar organet e sigurisë që të merrën me të njëjtin, ndërsa një distancim publik për deklaratat e tij ka ardhur edhe nga familja e ish – gjyqtarit.
Në një paraqitje publike, z. Kryeziu, i cili dikur mbante një nga postet më të larta të drejtësisë në vend, lëshoi komente të rënda kundër komunitetit më të madh fetar në Kosovë.
“Feja Islame në Kosovë ka dal nga shtrati, ka vërshu nga shtrati,” dëgjohet të thotë Kryeziu në video.
Duke mos u ndalur me kaq, ai vazhdon me një ton kërcënues, duke marrë përsipër edhe ndalimin e saj. “Kush duhet me ndal? Na more, edhe kemi me ndalë. Ka shumë të interesuar në këtë punë,” shprehet ai, duke iu referuar një “shoqate” që ai e cilëson si “nismëtarë” të kësaj ideje.
Në video, ish-gjyqtari dëgjohet të përdorë edhe gjuhë denigruese, duke i quajtur oponentët e tij “tuca” dhe “burra të ligë”, ndërsa premton se “do t’i rregullojë kadal-kadal”.
Presioni publik u shtua ndjeshëm kur vetë familja e ish-gjyqtarit reagoi ashpër ndaj këtyre komenteve. Vëllai i tij, Bedri Kryeziu, përmes një postimi në Facebook , u distancua publikisht në emër të gjithë familjes.
Në deklaratën e titulluar “DISTANCIM PUBLIK NGA KADRI KRYEZIU NGA FAMILJA KRYEZIU”, Bedri Kryeziu i cilëson fjalët e vëllait të tij si të rrezikshme dhe të dëmshme.
“Te nderuar Qytetar! Ne, familja Kryeziu, distancohemi, publikisht nga deklarata e papjekur te vellait tone Kadri Kryeziu,” thuhet në reagimin e familjes.
Familjari i tij shkon më tej, duke e akuzuar drejtpërdrejt Kadri Kryeziun për veprën që ai e quan “nxitje fetare” dhe për fyerje ndaj shumicës së popullsisë së Kosovës.
“Vellai Kadri Kryeziu, fatkeqesisht, me kete deklarate, ben nxitje fetare ne mes te komuniteteve te konfeksioneve fetare ne kosove, dhe posaqerisht, ngritet kunder fejes Islame ku 94% sipas statistikave, jane musliman…”
Në deklaratën e tij, Bedri Kryeziu vë në pikëpyetje edhe kredibilitetin e vëllait të tij për të folur mbi çështjet fetare, duke e quajtur “totalisht injorant” në këtë fushë dhe duke theksuar kontradiktën e tij si një person që flet për shtetin laik, por ndërhyn në fe.
Në fund, familja Kryeziu kërkon falje publike ndaj komunitetit islam dhe i bën thirrje organeve të rendit të merren me rastin.
“I kerkojm falje, vellezerve musliman ne Kosovë, per fyerjet qe i ka bere vellai jone, dhe ftojm drejtesinë kosovare te kryej punen e vete ne zbatim te ligjit, per ata qe fyen komunitetet…”

Këto deklarata të një ish-zyrtari të lartë të sistemit të drejtësisë kanë ngritur shqetësime serioze për gjuhën e urrejtjes dhe polarizimin ndër-fetar në vend, ndërkohë që pritet të shihet nëse Prokuroria e Shtetit do të nisë hetime për nxitje të urrejtjes, siç kërkohet edhe nga vetë familja e z. Kryeziu.
