Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, ka dalë me një sqarim publik lidhur me raportimet për mbajtjen e një ligjërate nga zyrtarë të Gjykatës Speciale në gjimnazin “Xhevdet Doda”.
Përmes një reagimi në Facebook, Shahini ka bërë të ditur se Drejtoria e Arsimit nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes për organizimin e këtij aktiviteti brenda hapësirave shkollore.
“Sipas informacioneve zyrtare, aktiviteti është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), ndërsa pëlqimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës. Kjo është bërë pa autorizimin tim personal dhe pa miratimin e Drejtorisë së Arsimit në Kryeqytet,” deklaroi ai.
Më tej, Shahini shprehu indinjatën e tij të thellë dhe paralajmëroi masa konkrete ndaj të gjithë personave përgjegjës, në përputhje me procedurat ligjore. Po ashtu, ai theksoi se do të trajtohet me seriozitet edhe roli i organizatës që ka trajtuar këtë temë të ndjeshme me nxënësit e gjimnazit./lajmishqip.net
