Skandal në Constanta: Flamuj serbë në stadium, u ndërpre ndeshja e kampiones së Kosovës

1 minute, 9 seconds Read

Flamuj të Serbisë u shfaqën nga tifozët e kampiones rumune të futbollit për femra, Farul Constanta, gjatë ndeshjes ndaj kampiones së Kosovës, Mitrovica.

Ndeshja po zhvillohej në qytetin rumun, Constanta, dhe ishte gjysmëfinale e një prej mini-turneve të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Sipas raportimeve nga mediat rumune, ndeshja u ndërpre për disa minuta gjatë pjesës së parë, në minutën e 27-të, për shkak të shfaqjes së flamurit serb.

Gazeta rumune “GSP” e ka cilësuar këtë si një skandal, duke raportuar: “Skandal i madh në ndeshjen e Farulit në Ligën e Kampionëve. Flamujt janë larguar për shkak të mesazhit me konotacion politik”. Gazeta përshkruan gjithashtu situatën në tribuna dhe vendimin e delegates së ndeshjes.

“Ndërprerja e ndeshjes nga gjyqtarja estoneze, Reelika Turi, ka revoltuar tifozët, të cilët nisën të brohorasin ‘Kosova është Serbi’. Delegatja e ndeshjes, Ewa Gajweska nga Polonia, ndërhyri gjithashtu. Pas disa diskutimeve me zyrtarët e klubit, u mor vendimi që flamuri i Serbisë të largohej dhe ndeshja rifilloi. Tifozët u bindën, por gjatë largimit nga tribunat, vazhduan të këndonin dhe të bënin gjeste të turpshme,” shkruan “gsp.ro”.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, ndërsa aktualisht Mitrovica është duke humbur 2-0./Telegrafi

Publikime te ngjashme