Situata në pjesën Veriore të Kosovës sot raportohet të jetë e qetë. Në institucionet paralele të Serbisë në Kosovë, tashmë kanë zënë vend simbolet e Republikës së Kosovës.
Mediat atje, raportojnë se mëngjesin e sotëm nuk ka pasur tubim të qytetarëve të cilët para dy ditësh kanë kërkuar nga policia që të kthehen në vendet e tyre të punës.
Sipas portalit Kossev, nga aty tashmë janë mbuluar edhe simbolet e Serbisë, duke u zëvendësuar me ato të Kosovës.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka thënë se do t’i intervistojë pesë persona, të dyshuar për “falsifikim të dokumeteve”, lidhur me pesë institucionet paralele serbe, në veri të Kosovës, të cilat janë mbyllur më 30 gusht.
Policia ka thënë se i ka bërë katër ftesa, ndërsa e pesta do të dërgohet më vonë.
Policia nuk ka bërë të ditur se për kë saktësisht bëhet fjalë.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka thënë se intervistat do të realizohen me kërkesë të Prokurorisë.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar se bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – të cilët kanë qenë në krye të organeve paralele serbe.
Ata janë arrestuar më 30 gusht në një aksion policor të kryer njëkohësisht në disa lokacione në veri të Kosovës.