Një grabitje me skena të ngjashme të filmave aksion është regjistruar këtë të mërkurë në Itali.
Mediat vendase raportojnë se tetë persona të armatosur dhe të veshur si forcat komando kanë bllokuar rrugën shtetërore 131, në provincën e Sassari dhe kanë grabitur një furgon që po transportonte para.
Siç shihet dhe në videon e mëposhtme dy prej grabitësve janë afruar drejt furgonit dhe u kërkojnë shoferëve që të zbresin. Pamjet amatore janë filmuar nga vetë shoferi me telefon.
Raportohet se gjatë grabitjes pati të shtëna, ndërsa u plagos në këmbë njëri prej rojeve të sigurisë, ndërsa tre të tjerë morën lëndime pasi u dhunuan. Po ashtu grabitësit u përfshinë dhe në një shkëmbim zjarri me policinë, ndërsa raportohet se njëri prej tyre mbeti i plagosur.
Për të ndaluar furgonin e blinduar grabitësit, sipas Ansas, përdorën një zinxhir të madh me gozhdë të cilin e hapën në rrugë si dhe dy makina të tjera të cilave më pas u vendosën flakën duke bllokuar qarkullimin në këtë rrugë.
Ata mundën të largohen me shpejtësi ndërsa në ndjekje të tyre u vendosën forca të shumta të policisë si dhe karabinierët. Ndërkohë patrulla të shumta janë ngritur në të gjitha akset ndërsa po kryhen dhe fluturime me helikopterë.
Të plagosurit janë dërguan drejt spitalit ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihet shuma e parave që grabitësit kanë marrë nga furgoni.