Presidenti amerikan, Donald Trump, po punon ‘në mënyrë agresive’ për t’i dhënë fund konfliktit Rusi-Ukrainë, ka deklaruar të hënën Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
“Ai [Trump] vazhdon të punojë në mënyrë agresive për t’i dhënë fund luftës në Rusi dhe Ukrainë”, u tha Leavitt gazetarëve para Shtëpisë së Bardhë, pa ofruar detaje shtesë.
Kjo deklaratë pason lëvizjet e fundit të administratës Trump për të shtuar presionin drejt një zgjidhjeje të konfliktit mbi trevjeçar, transmeton Telegrafi, raporton lajmishqip.
Në fillim të javës së kaluar, Trump i dha një ultimatum Moskës, duke kërcënuar me vendosjen e tarifave 100% ndaj vendeve që blejnë eksporte ruse, nëse një marrëveshje paqeje nuk arrihet brenda 50 ditësh.
Trump ka bërë të ditur gjithashtu planet që aleatët evropianë të blejnë pajisje ushtarake amerikane, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, me qëllim transferimin e tyre në Ukrainë.
Presidenti amerikan ka shprehur zhgënjimin e tij me liderin rus, Vladimir Putin, për atë që e konsideron si mungesë progresi në negociatat për paqe.
Deri më tani, iniciativat diplomatike janë fokusuar kryesisht në shkëmbimet e të burgosurve, ndërsa bisedimet e drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Rusisë kanë sjellë rezultate të përgjithshme të kufizuara.
Moska pohon se mbetet e hapur për bisedime, por pa hequr dorë nga objektivat e saj në Ukrainë. Ndërkohë, Kievi i ka cilësuar si “të pakuptimta” bisedimet e mëtejshme me delegacionin aktual rus.
Implementimi i mundshëm i “sanksioneve dytësore”, pra tarifave ndaj partnerëve tregtarë të Rusisë, do të përbënte një ndryshim madhor në politikën perëndimore të sanksioneve, e cila ka evituar masat që mund të destabilizojnë tregjet globale të energjisë.
Teksa disa analistë vënë në dyshim efikasitetin e tarifave të tilla, të tjerë argumentojnë se ato mund të kenë një ndikim të konsiderueshëm ekonomik mbi Moskën.
“Tani duhet të shohim sanksione reale ndaj Rusisë sa më shpejt të jetë e mundur dhe Ukraina ka nevojë për mjetet e nevojshme për t’u kundërpërgjigjur”, tha të hënën për Kyiv Post Doug Klain, një analist politikash pranë Razom for Ukraine, një organizatë me bazë në SHBA që mbron Ukrainën.
Klain theksoi se mbështetja e Trump duket se ka qenë vendimtare në vendimin e Gjermanisë për të dërguar deri në pesë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, duke tejkaluar parashikimin e mëparshëm për dy.
“Ky është tashmë një hap i madh, dhe nëse njoftimi i Trump dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s [Mark] Rutte javën e kaluar zbatohet, mund të ketë shumë më tepër në rrugë e sipër”, shtoi ai, raporton lajmishqip.