Shpërthimi në veri, qytetari serb me veturën e tij largohet nga stacioni policor

1 minute, 21 seconds Read

Një shpërthim ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në Mitrovicën e Veriut, konkretisht afër Stacionit Policor, ku për pasojë është dëmtuar një veturë dhe një shtyllë elektronike në të cilën ishte e vendosur kamera e sigurisë.

Lidhur me këtë rast, Ekipi i Tëvë1, po qëndron në vendngjarje dhe ka bërë të ditur se qytetari serb bashkë me veturën e tij të dëmtuar ka dhënë deklaratë në Polici.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë për Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, për teve1.info ka thënë se ky rast është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Rreth orës 03.00 të mëngjesit në rrugë “Petar Kral” ka ndodh një shpërthim. Një shtyllë elektrike është dëmtuar dhe një veturë. Policia është duke e trajtuar rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka thënë Elshani.

Ai pohoi se në shtyllën elektrike kanë qenë të vendosura edhe kamerat e sigurisë.

Kurse, shefi i Stafit të Kabinetit të Presidencës, Blerim Vela, e ka quajtur këtë shpërthim sulm kriminal, duke thënë se ky është sulm nga strukturat kriminale dhe ilegale të financuara nga Serbia, e që sipas tij, po e pengojnë sundimin e ligjit në veri të vendit.

“Ky duket të jetë një reagim ndaj aksionit të institucioneve të Kosovës për heqjen e kamerave të ilegale të vëzhgimit të vendosura nga Serbia, i cili do të vazhdojë”, shkroi Vela në një postim në Twitter.

Publikime te ngjashme