Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA), Rafael Grossi, ka dhënë një pasqyrë të zymtë të gjendjes së centraleve bërthamore të Iranit pas sulmeve të fundit, duke theksuar se impianti i Natanzit është “shkatërruar plotësisht”.
Grossi saktësoi se sallat nëntokësore të Natanzit “kanë vuajtur shumë” si pasojë e ndërprerjeve të energjisë elektrike të shkaktuara nga sulmet izraelite.
Lidhur me centralin nëntokësor të Fordow, Grossi u shpreh se shkalla e saktë e dëmit mbetet e paqartë, por nuk përjashtohen dëme të konsiderueshme.
“Ka indikacione të qarta të ndikimeve, por sa i përket vlerësimit për shkallën e dëmit nëntokësor, për këtë nuk mund të prononcohemi. Askush nuk mund t’ju tregojë se sa është dëmtuar,” tha shefi i ANEA-s në një prononcim për CNN.
Ai shtoi se edhe impianti tjetër bërthamor në Isfahan ka pësuar “dëme shumë të konsiderueshme”.
Në përgjigje të kësaj situate kritike, Grossi ka bërë të ditur se do të thërrasë një takim të posaçëm me guvernatorët e ANEA-s ditën e hënë për të diskutuar zhvillimet e fundit në Iran, raporton lajmishqip.