Shea: Cameron dëshmoi se Britania mbështet fuqishëm pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës

2 minutes, 57 seconds Read

Situata e ndjeshme e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ka alarmuar shtetet më të fuqishme në botë. Për këtë arsye, një vizitë të rëndësishme në Kosovë ditë më parë e bëri sekretari i jashtëm britanik, David Cameron, ku u takua me krerët shtetëror dhe me ushtarët britanik.

Ish zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, vlerëson se vizita e David Cameron në Prishtinë, dëshmon edhe njëherë se Britania e mbështet fuqishëm Kosovën.

“Mbretëria e Bashkuar së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e tjera aleate shprehën shqetësimin e tyre për situatën e sigurisë në rajon, veçanërisht në Kosovë dhe në Bosnje Hercegovinë. Me vizitën e tij në Kosovë, sekretari i jashtëm britanik, David Cameron, dëshmoi se Mbretëria e Bashkuar e mbështet fuqishëm pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, këto ishin mesazhe të qarta të tij. Pas ngjarjes tragjike në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Mbretëria e Bashkuara ishte nga shtetet e para që rriti prezencën ushtarakë në veriun e vendit”, ka thënë Shea.

Shea, që ishte edhe Zëvendës ndihmës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, thotë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka për detyrë të jap më shumë shpjegime për ngjarjen në Banjskë.

Ai shton se kjo histori nuk mund të mbyllet vetëm pasi që një person e ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj policisë së Kosovës.

“Ata që nuk janë miq të perëndimit janë të interesuar të shkaktojnë probleme në rajonin e Ballkanit, siç është në këtë rast presidenti rus Vladimir Putin. Ai synon që të shtrijë ndikimin e tij në Bosnje dhe ta pengojë rrjedhën e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo që pamë në Banjskë ishte shumë e rrezikshme. Ishte futur gjithë ai armatim brenda territorit të Kosovës prandaj pasojat mund të ishin shumë më të mëdha. Duhet ta dimë se kush i financoi ata paramilitare, kush i furnizoi ata me armë dhe si u futën brenda terrorit të Kosovës. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka për detyre të jap shpjegime për këto çështje. Nuk mund të mbyllet ngjarja në Banjskë vetëm pasi që një person e morri përgjegjësinë për sulmin paramilitar, këtu ka akoma shumë gjëra të pathëna”, thotë Shea për tëvë1.

Shea nuk e sheh Serbinë si një shtet të kontrolluar nga Rusia, pasi sipas tij marrëdhëniet mes të dyja shteteve janë shumë më komplekse se kaq.

“Konsideroj që marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë janë shumë komplekse. Natyrisht që Rusia ka ndikim të Serbia, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe në sektorin e biznesit. Serbia akoma vazhdon të blejë armë nga Rusia, por besoni apo jo serbët kanë bërë disa gjëra të rëndësishme për t’i ndihmuar Ukrainës. Mes tjerash, mos harroni faktin se Serbia është duke negociuar për t’u bërë anëtarë e Bashkimit Evropian. Pra unë nuk e shoh Serbinë si një shtet kukull të Rusisë, sepse konsideroj se marrëdhëniet mes tyre janë shumë më komplekse se kaq. Do të vijë një ditë që Serbia përfundimisht do ta zgjedh se në cilën rrugë të vazhdoj”.

Publikime te ngjashme