Ndërsa Izraeli të hënën peshonte përgjigjen e tij ndaj sulmeve të Iranit këtë fundjavë, SHBA-të po u thonë privatisht zyrtarëve atje: Nëse Izraeli sulmon ushtarakisht, do ta bëjë këtë vetëm.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, është një mesazh i pazakontë për një aleat të ngushtë që ka kaluar dekada duke marrë më shumë ndihma ushtarake amerikane se çdo vend tjetër në botë dhe marrëdhënia e të cilit me Amerikën shpesh përshkruhet si “e hekurt”.
Por pas muajsh që Izraeli vepron më vete në Gaza – dhe u përball me kritika të ashpra nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë se operacionet e tij ushtarake kanë shkuar shumë larg – administrata e Joe Biden e bëri të qartë se SHBA-ja nuk do të merrte pjesë në operacionet ushtarake sulmuese kundër Iranit nga frika e një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme.
“Ne besojmë se Izraeli ka lirinë e veprimit për të mbrojtur veten”, citohet të ketë thënë për gazetarët një zyrtar i lartë i administratës menjëherë pas përfundimit të sulmit të Iranit. “Kjo është një politikë e kahershme dhe kjo mbetet e tillë”.
Kur u pyet nga një gazetar nëse SHBA-ja do ta ndihmonte Izraelin kundër operacioneve ushtarake sulmuese, zyrtari tha jo.
“Ne nuk do ta imagjinonim veten të merrnim pjesë në një gjë të tillë”, citohet të ketë thënë ky person.
Sipas një zyrtari tjetër amerikan, ai mesazh iu dorëzua drejtpërdrejt zyrtarëve të lartë të Izraelit në një telefonatë private të dielën midis Sekretarit të Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Përveç shprehjes së mbështetjes për mbrojtjen e Izraelit, zyrtari tha se Austin e bëri të qartë në një mënyrë shumë “të drejtpërdrejtë” se SHBA nuk po planifikonte t’i bashkohej një kundërofensivë të mundshme në emër të Izraelit.
Sulmi i Iranit ndaj Izraelit të shtunën vonë kishte tronditur thellë liderët botërorë, përfshirë zyrtarët amerikanë, të cilët fillimisht mendonin se Republika Islamike kishte përgatitur vetëm një duzinë raketash balistike.
Madje një zyrtar i lartë amerikan e përshkroi “se duart po dridheshin” ndërsa mbanin shënime në një takim pasi mësuan se inteligjenca amerikane besonte se më shumë se 100 raketa balistike po përgatiteshin për lëshim.
Sulmi u konsiderua si hakmarrje për një sulm ushtarak ndaj asaj që Irani e quajti konsullatën e tij në Damask, Siri, që besohet gjerësisht se është bërë nga Izraeli.
Në fund, zyrtarët amerikanë vlerësojnë se Irani lëshoi rreth 300 raketa dhe drone, duke përfshirë më shumë se 100 raketa balistike dhe 30 “raketa lundrimi”.
Dy zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar për për ABC News se rreth gjysma e këtyre raketave ose nuk u lëshuan, dështuan në fluturim ose u rrëzuan përpara se të arrinin objektivat e tyre në Izrael.
Sistemet e mbrojtjes ajrore izraelite ishin të suksesshme në mposhtjen e shumicës së kërcënimeve ajrore të mbetura, me forcat e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Jordanisë që u erdhën në ndihmë. /Telegrafi