SHBA ka njoftuar sot për sanksione të reja ndaj zyrtarëve dhe institucioneve financiare që lidhen me Rusinë dhe Korenë e Veriut.
Departamenti i Thesarit tha se sanksionet synonin aktivitetet financiare të Phenianit dhe mbështetjen ushtarake për Moskën, transmeton Telegrafi.
Bankat e Koresë së Veriut, gjeneralët dhe zyrtarët e tjerë, si dhe kompanitë ruse të transportit të naftës janë të gjitha në shënjestër në masën më të fundit të SHBA-së, që synon të pengojë mbështetjen e Koresë së Veriut për luftën në Ukrainë.
Bankat e Koresë së Veriut në shënjestër përfshijnë Golden Triangle Bank dhe Korea Mandal Credit Bank, thuhet në një deklaratë nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së.
Zyrtarët përfshijnë gjeneralë të Koresë së Veriut, të cilët departamenti tha se ishin në mesin e mijëra trupave që Pheniani ka vendosur në Rusi për të ndihmuar përpjekjet e saj të luftës në Ukrainë./Telegrafi