Ministria e Shëndetësisë sërish ka lëshuar vendim për kufizim të orarit të punës për shkak të temperaturave të larta.
Vendimi hyn në fuqi nga e mërkura, 14 gusht, dhe zgjat deri më 17 gusht.
Masat që do të zbatohen përfshijnë:
Nga data 14.08.2024, deri më 17.08.2024 kufizohet orari i punës;
1.1 Gjatë kësaj periudhe të nxehtësisë ekstreme, rekomandohet që të ndryshohen oraret e punës për të shmangur punën në orët më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 16:00;
1.2 Të aplikohet orari fleksibël i punës, që nënkupton lejimin e punëtorëve që të fillojnë punën më herët në mëngjes ose të punojnë nga shtëpia nëse ka mundësi;
1.3 Shtatzënat të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë 11:00 — 16:00, ose të punojnë nga shtëpia;
1.4 Në oraret 11:00 — 16:00 ndalohet puna për qytetarët e prekur me sëmundje kronike, apo të punojnë nga shtëpia;
1.5 Të ndalohen punimet në sektorin e ndërtimtarisë, që janë të ekspozuara në diell gjatë orarit 11:00-16:00;
1.6 Të shpërndahen informacione përmes burimeve të informimit dhe broshurave e materialeve të tjera informuese për qytetarët për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia;
1.7 Të sigurohen kontrolle mjekësore për të punësuarit që tregojnë shenja të stresit nga nxehtësia dhe që i janë ekspozuar nxehtësisë ekstreme;
1.8 Ata që merren me punët në bujqësi, të planifikojnë zhvillimin e tyre në mëngjes herët ose pasdite vonë për të shmangur ekspozimin në nxehtësinë e madhe.