Rutte: Stabiliteti në Kosovë, Bosnje dhe Serbi është në interesin e të gjithëve

1 minute, 26 seconds Read

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se stabiliteti në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi është i rëndësishëm për të gjithë dhe nuk sheh arsye për të besuar se do të ketë ndonjë ndryshim dramatik në përkushtimin amerikan ndaj NATO-s.

Gjatë një vizite në Bratisllavë, Sllovaki, Rutte iu përgjigj një pyetjeje nga studentët në lidhje me mundësinë e rifillimit të konfliktit në Kosovë, pas spekulimeve se një politikë e re amerikane mund të çonte në tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni.

“Më lejoni të jem i qartë, nga ajo që kuptoj nga sistemi amerikan, ata mbeten plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve të tyre aktuale. Natyrisht, politikat mund të pësojnë ndryshime ose përshtatje të vogla, ashtu siç ndodh në shumë vende, por nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime drastike. Në përgjithësi, Ballkani Perëndimor duhet të mbetet në fokusin tonë, pasi stabiliteti në Kosovë, Bosnje dhe Serbi është në interesin e të gjithëve”, tha ai, sipas REL.

Prania e NATO-s në Kosovë

NATO ka një mision paqeruajtës në Kosovë që nga përfundimi i luftës. Aktualisht, KFOR-i numëron mbi 4.600 trupa nga 28 vende, me kontingjentin më të madh nga Italia, pasuar nga SHBA-ja, Hungaria dhe Turqia.

Në vitin 2023, NATO shtoi praninë e saj në Kosovë pas rritjes së tensioneve në veri, ku komuniteti serb është shumicë.

KFOR-i vepron si reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX. Një nga detyrat e tij kryesore është garantimi i sigurisë përgjatë kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Publikime te ngjashme