Shtetet perëndimore nuk i lejuan diskutimet për fushatën bombarduese të NATO-s kundër Serbisë, në seancën e së hënës së këshillit të sigurisë. Rusia, aleate e ngushtë e Serbisë kishte kërkuar futjen në agjendë të pikës së emërtuar “kërcënimet ndaj paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” më rastin e 25 vjetorit të bombardimeve, të aleancës, por SHBA, Franca dhe shtete të tjera abstenuan në votim, duke e parandaluar diçka të tillë.
Ato argumentuan se agjenda e takimit duhet të miratohej nga të gjithë anëtarët, ndërsa akuzuan Rusinë se po shfrytëzonte ngjarjen për të nxitur përçarje dhe destabilitet në Ballkanin Perëndimor.
“SHBA nuk ka asgjë për të fshehur lidhur me mbështetjen ndaj operacionit të NATO-s ne vitin 1999. Veprimet ishin të nevojshme për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë. Por diskutimet qe kërkon Rusia, kanë të bëjnë me përpjekjet e Kremlinit për të minuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, për të nxitur tensionet rajonale në mënyrë që të përmbushë ambiciet e veta për destabilizim të rajonit”, tha Robert a. Wood, ambasador i SHBA.
Ambasadori rus në OKB e cilësoi ndërhyrjen ushtarake të aleancës një shkelje të madhe të ligjit ndërkombëtar dhe të kartës së OKB. Duke i quajtur luftëtarët e UÇK-së banda kriminale, ai tha se ngjarjet e asaj kohe dhe shkatërrimi i një shteti sovran sipas tij, ka çuar në situatën aktuale në Kosovë, ku gjërat janë përkeqësuar.
“Disa kolegë në Këshillin e Sigurimit do të thonë se ngjarjet e 25 viteve më parë janë histori dhe nuk kanë të bëjnë me aktualitetin. Por çdo njeri i arsyeshëm e kupton se shkatërrim i një shteti të pavarur çdo i në një kaos që po shtohet jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin”, u shpreh Vassily Nebenzia.
Kina e cila njësoj si Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, po ashtu përkrahu Rusinë dhe tha se ndërhyrja e NATO-s ishte shkelje e ligjeve ndërkombëtare. Përfaqësuesi i Kinës tha se gjatë fushatës ajrore të aleancës ushtarake perëndimore ishte sulmuar edhe ambasada kineze në Beograd, kur ishin vrarë edhe tre gazetarë kinezë.