Rusia po i tërheq trupat nga Ukraina për të mbrojtur rajonet jugore nga ofensiva e Kievit! Dilemat e Putinit në front

2 minutes, 11 seconds Read

Moska po tërheq një pjesë të trupave të saj nga Ukraina për t’iu përgjigjur ofensivës së Kievit në territorin rus, raporton Wall Street Journal (WSJ), duke cituar zyrtarë amerikan.

Kjo është shenja e parë që inkursioni ukrainas në rajonin e Kurskut po e detyron Rusinë të rishikojë forcën e saj pushtuese, komenton gazeta amerikane.

Shtetet e Bashkuara, shtuan burimet zyrtare, janë ende duke u përpjekur të përcaktojnë rëndësinë e lëvizjes së Rusisë dhe nuk kanë thënë se sa trupa ushtria ruse po lëviz.

Megjithatë, vlerësimi i ri i Uashingtonit përforcon pretendimet e zyrtarëve ukrainas se pushtimi i papritur i javës së kaluar në rajonin kufitar rus ka tërhequr disa forca ruse nga Ukraina, ku avantazhi i Moskës për sa i përket njerëzve dhe pajisjeve po i lejon ata të përparojnë në disa pika.
Më herët u raportua se Rusia zhvendosi trupa ushtarake edhe nga Kalininigradi për në Kurs. Një gjë të tillë e deklaroi ministri lituanez i Mbrojtjes Laurynas Kasciunas gjatë një takimi me presidentin ukrainas, Zelensky. Kasciunas bëri të ditur se luftimet e vazhdueshme në Kursk të pushtuar nga Kievi po e detyronin Moskën të tërheqë ushtarët e saj nga Kaliningradi duke e përshkruar atë si një formë çmilitarizimi të shkaktuar nga “guximi i ushtrisë ukrainase”. Ministri lituanez shtoi se operacioni i Kievit në rajonin rus kishte “ngritur moralin e njerëzve dhe forcave të armatosura” të Vilnius.

Situata në Rusinë jugore duket se nuk është fort në kontrollin e Moskës. Pas Kurskut, edhe rajoni kufitar rus i Belgorod shpalli gjendjen e jashtëzakonshme nga autoritetet lokale. Mijëra banorë janë evakuuar për shkak të luftimeve në terren.

Nga ana tjetër, mbrojtja ajrore ruse pretendon se mbrëmjen e kaluar ka rrëzuar 4 raketa taknike Tochka-U dhe 117 dronë ukrainas mbi territorin e Federatës ruse. Ministria e Mbrojtjes ruse bën vazhdimisht publikime në kanalin e Telegram por të dhënat mbeten të paverifikuara në terren.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës ka deklaruar se “ndryshe nga Moska, ne nuk duam pronat e njerëzve të tjerë, por synojmë të mbrojmë jetën e qytetarëve tanë”, duke komentuar kështu ofensivën e Kievit prej 8 ditësh në territorin rus.

Reagimi i parë ka ardhur edhe nga presidenti i SHBA, Joe Biden. Ai ka komentuar ofensivën e Kievit duke u shprehur se ushtria e Ukrainës i kishte shkaktuar “një dilemë të vërtetë presidentit rus Vladimir Putin”.

Publikime te ngjashme