Rrufeja godet për vdekje një grua në Prevallë, 4 familjarët e saj i lë të plagosur

0 minutes, 53 seconds Read

Territori i Kosovës është përfshirë këtë të diel nga reshjet e shiut, të shoqëruara me shkarkesa elektrike, duke shënuar edhe një tragjedi.

Rrufeja ka goditur 5 pjesëtarë të një familje në fshatin Prevallë të Prizrenit, ku për pasojë një prej tyre ka ndërruar jetë, ndërsa 4 të tjerët kanë mbetur të plagosur.

Policia vendase ka raportuar se viktima është një grua 64-vjeçare nga Ferizaj, e cila ka humbur jetën në urgjencën e spitalit të Prizrenit. Katër familjarët e saj kanë marrë dëmtime më të lehta.

“Më datën 18.08.2024 rreth orës 12:14, policia ka marrë informatën se në Prevallë rrufeja ka goditur 5 persona. Njëra nga viktimat, grua 64-vjeçare nga Ferizaji ishte në gjendje më të rëndë, e njëjta ka ndërruar jetë në emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren”, – ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Prevalla është një vendpushim skijimi dhe fshat turistik, i cili është afërsisht 30 kilometra larg Prizrenit.

Publikime te ngjashme