Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka publikuar pamje të reja mbresëlënëse nga operacioni i koduar “Rrjeti i Merimangës”, duke shfaqur trajektoren e plotë të një droni kamikaz, nga lëshimi prej një kamioni deri në momentin e përplasjes me një bombardues strategjik rus Tu-22M3 në aeroportin Belaya, në rajonin e Irkutskut.
Në video, droni shihet duke përshkuar një distancë të gjatë dhe duke depërtuar pa pengesa në hapësirën ajrore të bazës ushtarake, ku dallohet edhe tymi nga një tjetër avion i goditur më herët.
Ky sulm ishte pjesë e një operacioni të gjerë të ndërmarrë javën e kaluar kundër katër aeroporteve strategjike ruse: Olenya (Murmansk), Ivanovo, Dzhagilyevo (Ryazan) dhe Belaya (Irkutsk). Këto baza përdoreshin nga aviacioni strategjik rus për të lëshuar sulme me raketa kundër qyteteve ukrainase. Sipas Kievit, i gjithë operacioni u drejtua personalisht nga kreu i SBU-së, Vasyl Maliuk, me urdhër direkt të Presidentit Volodymyr Zelensky.
Autoritetet ukrainase vlerësojnë se dëmi i shkaktuar nga ky operacion special arrin vlerën e mbi shtatë miliardë dollarëve. Sipas pretendimeve të Ukrainës, pala ruse humbi gjithsej 41 avionë, përfshirë modele si A-50, Tu-95, Tu-22, Tu-160, si dhe avionë transporti An-12 dhe Il-76.
Duke komentuar suksesin e misionit, Presidenti Zelensky theksoi se forcat e inteligjencës ukrainase kishin përdorur ekskluzivisht armatim të prodhimit vendas.
You can watch this forever: The SBU releases new footage from Operation Spiderweb, which dealt massive damage to Russia’s strategic aviation. pic.twitter.com/H1R4BbxLu8
— NEXTA (@nexta_tv) June 7, 2025
