Anëtarja e Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëherësh nënkryetare e Degës në Vushtrri, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në këtë komunë.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Krasniqi ka njoftuar se, së bashku me ish-kryetarin e degës, dr. Hysni Gërguri, kanë zhvilluar një takim me strukturat lokale të LDK-së për të diskutuar situatën e krijuar pas marrëveshjeve politike të fundit.
Sipas saj, në takim është theksuar një qëndrim i qartë dhe i bashkuar se çdo veprim apo marrëveshje që bie ndesh me Statutin e LDK-së dhe me vendimet e Kryesisë Qendrore, është i papranueshëm dhe nuk përfaqëson qëndrimin e vërtetë të degës në Vushtrri.
“LDK në Vushtrri nuk i nënshtrohet pazareve politike, as marrëveshjeve të bëra në kundërshtim me interesin e qytetarëve. LDK do të jetë gjithmonë në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Vushtrrisë, të zhvillimit dhe dinjitetit të saj,” ka deklaruar Krasniqi.
Ajo ka shtuar se LDK do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm për qytetarët, për Vushtrrinë dhe për Kosovën, duke theksuar se çdo vendim i degës do të jetë në përputhje me qëndrimet zyrtare të partisë në nivel qendror./lajmishqip.net
