Rreth 100 prokurorë në terren për 28 dhjetorin – sinjal i fortë kundër manipulimit të votës

1 minute, 9 seconds Read
Banner Description

Prokuroria e Shtetit në Kosovë ka njoftuar se ka përmbyllur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke e vendosur “mbrojtjen e votës së lirë” dhe integritetin e procesit në krye të prioriteteve. Sipas njoftimit, gjatë ditës së zgjedhjeve do të angazhohen rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të shpërndarë në gjithë territorin e vendit, me kujdestari deri në përfundim të plotë të procesit.

Ky mobilizim vjen në një moment kur fushatat në Kosovë zakonisht shoqërohen me akuza për presion, abuzim me resurse dhe tentativa për ndikim në vullnetin e votuesve. Qasja e prokurorisë synon të krijojë “prani reale” në terren: reagim të shpejtë për çdo parregullsi, dokumentim të provave dhe procedim të rasteve që lidhen me keqpërdorim apo manipulim të votës.

Në apel publik, Prokuroria e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave që të denoncojnë çdo rast të dyshuar për keqpërdorim ose manipulim të votës, “në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë”.

Mesazhi politik i ditës është i qartë: zgjedhjet po trajtohen si test i besueshmërisë së shtetit ligjor. Tash, presioni kalon te institucionet – nga polici e KQZ, deri te prokuroritë – që ta kthejnë këtë mobilizim në rezultate konkrete, pa selektivitet dhe pa tolerancë për “zakonet” e vjetra të fushatave./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme