Rrëfimi ekskluziv i Ibrahimovicit: Jetesa në geto me shqiptarët dhe dhimbja e fshehur e luftës që i mori gjyshen

2 minutes, 9 seconds Read

Zlatan Ibrahimovic ka shpalosur një anë të panjohur të tij në intervistën e parë të gjatë në gjuhën boshnjake për emisionin “(Ne)uspjeh prvaka”. Në një dialog mjaft të hapur me Slaven Bilic, ai ka kujtuar fëmijërinë në Suedi dhe gjurmët që la lufta e Bosnjës në familjen e tij.

I rritur në lagjen Rosengard, Ibrahimovic shpjegon se ndonëse rrënjët e tij janë nga Bosnja, ai fillimisht ishte i mbrojtur nga tmerret e agresionit që po ndodhte në vendlindjen e të parëve të tij.

Sipas legjendës së futbollit, lufta nuk e ndryshoi rrënjësisht formimin e tij, por dy momente specifike kanë mbetur të gdhendura në kujtesën e tij si dëshmi e asaj periudhe të errët.

“Në Rosengard ne ishim një familje e madhe. Për ne nuk kishte dallime: ishim boshnjakë, kroatë, serbë e shqiptarë që jetonim me respekt reciprok. Pastaj plasi lufta, por në atë kohë unë isha i izoluar nga lajmet, pa telefona dhe pa interes për televizionin”.

“E vetmja gjë që vëreja ishte babai im, i cili qëndronte vazhdimisht në telefon duke tentuar t’i ndihmonte familjarët në Bosnje. Një ditë, kur shkova te nëna ime për të ngrënë, i gjeta të gjithë të veshur me të zeza, një skenë që nuk do ta harroj kurrë”.

“Kur pyeta për arsyen e asaj zie, më nxorën jashtë duke më thënë të luaja futboll. Po tentonin të më kursenin nga dhimbja; gjyshja ime ishte vrarë në luftë. Ata dëshironin që unë të jetoja si fëmijë, larg tmerreve që po ndodhnin”.

Ibrahimovic tregon edhe për momentin kur kuptoi se lufta kishte ndryshuar gjithçka, veçanërisht kur në Suedi filluan të mbërrinin refugjatët e parë me një mentalitet të ri, të ndarë sipas përkatësive etnike.

“Babai më shtynte drejt futbollit për të më mbajtur larg realitetit të hidhur. Por, kur erdhën refugjatët në geton tonë, ata sollën ndarjet me vete; ‘unë jam ky, ti je ai’. Mentaliteti i tyre ishte krejtësisht i ndryshëm nga ai që njihnim ne”.

“Për mua ekzistonte vetëm një shoqëri e përbashkët ku nuk shihnim etninë e tjetrit, por të ardhurit nuk e pranonin këtë përzierje. Na u desh të luftonim me ta për të mbrojtur botën tonë, sepse për mua njerëzit ishin thjesht shokë, pa vënë re kush ishte kush”./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme