Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se një bashkim i mundshëm mes subjektit që ai udhëheq dhe presidentes Vjosa Osmani do të ishte një zhvillim tejet i dobishëm për interesat e vendit.
Ai bëri të ditur se bisedimet specifike rreth kësaj çështjeje mund të zhvillohen vetëm pasi zonjës Osmani t’i përfundojë zyrtarisht mandati në krye të shtetit. Sipas tij, kjo periudhë kërkon maturi institucionale dhe respekt ndaj pozicionit të saj aktual.
“Përderisa zonja Osmani shërben si presidente e vendit, dhe përgjatë 25 ditëve të ardhshme, ne i bëjmë nder Republikës dhe këtij institucioni nëse nuk e përfshijmë atë në çështje të karakterit partiak. Pas kësaj periudhe, mund të flasim me detaje të tjera. Padyshim, bashkimi në një vizion të përbashkët do të ishte frytdhënës për Kosovën”, deklaroi Abdixhiku në një prononcim për KOHËN.
Të enjten, përmes një shkrimi në rrjetet sociale, lideri i LDK-së bëri thirrje për një unitet të gjerë të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë atyre që rreshtohen në rrugën euroatlantike. Ai theksoi domosdoshmërinë për të tejkaluar dallimet politike dhe për t’u përqendruar te e ardhmja e shtetit.
Megjithatë, Abdixhiku saktësoi se kjo thirrje për bashkim nuk i adresohet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe as Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke vendosur kufijtë e këtij projekti politik.
Në mbyllje, kreu i LDK-së paralajmëroi nisjen e një procesi të ri për bashkim politik dhe qytetar rreth një kauze të përbashkët. Ky projekt, sipas tij, duhet të lërë anash ambiciet personale dhe hidhërimet e mbetura nga e kaluara për t’i dhënë vendit një drejtim të ri./lajmishqip.net









