Rifat Jashari i emocionuar: Më i kënaqur s’kam qenë kurrë, dhimbje s’ka më – veç krenari

1 minute, 40 seconds Read

Përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, është shprehur i lumtur me rastin e 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit.

Jashari ka thënë se për këtë ditë është derdhur shumë gjak.

Ai ka thënë se më i kënaqur nuk ka qenë asnjëherë pasi ka arritur ta gëzojë çlirimin e Kosovës.

“Qysh më mirë, më i kënaqur nuk jam kanë kurrë që e arritëm edhe çlirimin e Kosovës, është derdhur gjak, por është paguar ai gjak, dhimbje s’ka veç krenari. Urime gjithë shqiptareve kudo qe janë”, ka thënë Jashari për EO.

Ndryshe, Kosova sot shënon 25-vjetorin e Çlirimit të vendit, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë brenda territorit të Kosovës, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, si dhe largimin e serbëve nga Kosova.

Nga ana tjetër, tërheqja e forcave serbe çoi në shpërnguljen e rreth 164.000 serbëve nga Kosova.

Në luftën e viteve 1998-’99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, trupat e të cilëve janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.

Publikime te ngjashme