Ribalanci i buxhetit të hënën në seancë plenare

1 minute, 58 seconds Read

Kuvendi ka caktuar seancë për të hënën, ku ndër propozimet tjera ligjore do të diskutohet edhe për ribalancin e Buxhetit. Propozimi i plotësuar për ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit për vitin 2024, në leximin e dytë, është pika e shtatë e rendit të ditës së seancës.

Ribalanci kaloi shqyrtimin e përgjithshëm dhe debatin amendamentues në Komisionin për Financim dhe Buxhet, pas së cilës Qeveria më 6 gusht, miratoi ribalancin e plotësuar të Buxhetit, me të cilin, siç njoftoi, janë siguruar mjete shtesë – për paga dhe për blerje të pajisjeve për më shumë institucione.

Ministrja e financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në një konferencë për media tha se me ribalancin e përgatitur dhe të përditësuar parashikohen mjete për shërbimin e plotë të të gjitha të drejtave dhe obligimeve deri në fund të vitit – për pensionistët, për të punësuarit në administratë, për bizneset dhe shëndetësinë.

Për ribalancin deputetët parashtruan gjithsej 58 amandamente, një pjesë të tyre i tërhoqën, të tjerët ishin refuzuar. U pranuan vetëm dy amandamente – për pagesë të administratorëve dhe për reklamim politik të cilët ishin përfshirë në zbatimin e zgjedhjeve të këtij viti, të cilët i parashtruan deputetët Bojan Stojanoski dhe Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE pak para përfundimit të seancës.

Me ribalancin janë siguruar 5,1 miliardë denarë shtesë për pagesën e pensioneve, 800 milionë denarë për shfrytëzuesit e së drejtës për ndihmë minimale të garantuar, 1,7 miliardë denarë për shëndetësi, një miliard denarë për Zonat teknologjike të zhvillimit industrial, 1,7 miliardë denarë për subvencione dhe transfere për mbështetje direkte financiare në sektorin e bujqësisë, 437 milionë denarë shtesë për ushqimin e studentëve, si dhe 207 milionë denarë për pagesën e bursave, ndërsa gjashtë miliardë denarë janë ndarë për projekte nëpër komuna.

Me Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2024 të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në 318,2 miliardë denarë, shpenzimet në 362,8 miliardë denarë. Rritja e BPV-së është projektuar në 2,1 për qind, inflacioni në nivel prej 3,5 për qind, ndërsa deficiti i buxhetit në 4,9 për qind. /Shenja

Publikime te ngjashme