Refuzimi i bankave serbe: Bislimi njofton Sorensenin për bllokimin e fondeve për Luginën

2 minutes, 29 seconds Read

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i Kosovës, njoftoi të enjten se ka informuar të dërguarin e posaçëm të BE-së, Peter Sorensen, rreth refuzimit të mjeteve financiare nga një bankë serbe, të destinuara për shqiptarët në jug të Serbisë.

Bislimi, përmes një postimi në Facebook, saktësoi se 3.650 fëmijë shqiptarë në Luginë përdorin 35.448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), raporton REL.

Ai shtoi se pagesa prej 304.511,16 euro – dedikuar teksteve shkollore, avokimit ndërkombëtar dhe funksionimit institucional të KKSH-së – është bllokuar tri herë radhazi nga banka pranuese në Serbi.

“Në të tri rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore”, theksoi Bislimi.

Sipas tij, kjo situatë ka marrë karakterin e një “pengese sistemike” ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, arsye për të cilën “sot e kam njoftuar Peter Sorensenin”.

Bislimi e cilësoi këtë veprim si një “model të qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar” në jug të Serbisë.

“E njëjta qasje është vërejtur në anulimin e vendimit të KKSH-së për subvencionet bujqësore për fermerët shqiptarë, ndonëse procedurat ligjore ishin përfunduar plotësisht. Këto veprime s’janë raste të izoluara, por tregues të një qasjeje të strukturuar të pengimit administrativ”, citohet ai.

Edhe vitin e kaluar, Kosova akuzoi Serbinë për pengim të mbështetjes financiare për bujqit në Luginë, pasi Qeveria ndau 1 milion euro subvencione në bujqësi për shqiptarët atje.

Shqiptarët në këto tri komuna shpesh ankohen për praktika diskriminuese nga shteti serb, ndërsa zyrtarët qeveritarë të Kosovës u kanë bërë jehonë këtyre shqetësimeve.

Prej vitesh, ata ankohen gjithashtu për pasivizimin e adresave të banimit dhe gjatë këtij viti kanë protestuar disa herë për të drejtat e tyre.

Banorët dhe udhëheqësit komunalë në Luginë kanë kërkuar vazhdimisht prani të mekanizmave ndërkombëtarë për mbikëqyrjen e kushteve të jetesës në atë zonë.

Në anën tjetër, Serbia akuzon Kosovën për shkelje të të drejtave të serbëve, pas vendimit të vitit të kaluar për ndalimin e dinarit dhe mbylljen e institucioneve paralele serbe, të cilat Prishtina i konsideron të paligjshme.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, dhe vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të territorit të saj.

Beogradi financon përmes buxhetit shtetëror institucionet arsimore dhe shëndetësore në zonat me shumicë serbe në Kosovë.

Në dialogun e Brukselit, tashmë nën udhëheqjen e Sorensen, Kosova dhe Serbia kanë arritur disa marrëveshje që nga 2011-ta, përfshirë atë për normalizimin (2023), por zbatimi i tyre mbetet sfidë./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme