“Jeni bërë shëmbëlltyra e krenarisë së atdheut tonë në këtë pjesë të Europës”, kështu e nisi fjalën e tij kryeministri Edi Rama përballë rreth 6000 emigrantëve shqiptarë në Greqi. Rama tha se shqiptarët nuk janë më “shërbëtorët” në Greqi, por të “zotët e barabartë të kësaj shtëpie”.
“Jeni bërë shëmbëlltyra e krenarisë së atdheut tonë në këtë pjesë të Europës. Disa këtu në Greqi u çuditën, të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjarë ata do të kuptojnë që unë nuk kam ardhur që të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur që të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie”, tha Rama.
Ai vuri theksin se imazhi i shqiptarëve në shtetin helen kanë ndryshuar shumë, e për këtë shtoi se është shumë krenar.
“Shqiptarët nuk janë më të ardhurit e leckosur nga malet, por përfaqësues krenarë të një vendi që është Shqipëria jonë. Shqipëria e ka ngritur më në fund kokën e ulur nga dhuna dhe i sheh të gjithë sot drejt e në sy me respekt të gjithë. Ju jeni një vlerë e shtuar e punës, e ekonomisë, dijes, kulturës së këtij vendi. Përgjatë kësaj historie, fatet tona, shtigjet e jetës, luftërat, këngët, përrallat, kanë qenë shumë më të lidhura sesa janë dukur”, tha Rama.
Me këtë takim nis turi i kryeministri Edi Rama me diasporën shqiptare. Ky takim nga Greqia është konsideruar si provokim, për shkak se mbahet në 12 maj, në 1-vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit. Pas Athinës, Rama do të jetë në Milano, Londër dhe Duseldorf për t’u takuar me shqiptarët atje.