Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur pajtimin e tij të plotë me të dërguarin presidencial amerikan për misione speciale, Richard Grenell, i cili e cilësoi si një padrejtësi të rëndë mbajtjen në paraburgim të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke kërkuar që kjo çështje të marrë fund.
“Absolutisht! Dhe sa më shumë të vazhdojë, aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë”, shkroi Rama në platformën “X”, duke shpërndarë postimin e Grenellit.
Në urimin e tij për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Grenell rikujtoi atë që e quajti “padrejtësi e rëndë” ndaj Hashim Thaçit, të cilin e përshkroi si “atin themelues të shtetit të Kosovës”.
“Megjithatë, ky përvjetor është i errësuar nga një padrejtësi e rëndë. Ati themelues i shtetësisë së Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, duhet ta festonte sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë”, shkroi ai ndër të tjera.
Grenell gjithashtu kritikoi institucionet evropiane dhe ato të Kosovës, duke thënë se kanë dështuar në përpjekjet për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie.
Absolutely! And the more it continues, the bigger the stain on the international justice body! pic.twitter.com/iLsFPBogW7
— Edi Rama (@ediramaal)February 17, 2025