Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka rrëfyer sesi u zhvillua pastrimi i bregut të lumit të Lanës në Tiranë gjatë kohës kur ai ishte kryebashkiak.
Ai theksoi se është i gatshëm të përballet me drejtësinë për mënyrën se si e zbatoi këtë proces.
“Kam bërë unë korrupsion? I kam thirrur ndërtuesit në zyrë dhe u kam thënë: ‘Ore, keni dhënë ndonjë lek për lejet e ndërtimit?’ Ata shikonin të habitur. ‘Ke dhënë ti? Jo. Ti? Jo. Po mirë, më dini për budalla mua që merrni leje dhe nuk jepni gjë?’”
Rama shpjegoi se u kërkoi ndërtuesve që, në vend të ryshfeteve për lejet e ndërtimit, të kontribuonin për pastrimin e Lanës.
“Ka ardhur koha që ta paguani ryshfetin qytetarëve të Tiranës. Ua ndava segmentin e Tiranës me copa dhe u thashë: ‘Merrni buldozerët tuaj, prishini, pastrojini, ose ndryshe nuk merrni më leje ndërtimi’. E kam bërë këtë dhe jo vetëm një herë, por shumë herë,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se askush nuk mund të thotë që i ka dhënë para për leje ndërtimi dhe se çdo përpjekje për ta akuzuar ka rezultuar e pabazë. “Më nxorën një burrë që më ka kërkuar falje 34 herë deri tani,” përfundoi ai.