Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur politikanit britanik Nigel Farage, i cili deklaroi se kishte fituar një bast lidhur me numrin e shqiptarëve në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar. Në një përgjigje publike, Rama i cilësoi të pasakta dhe të bazuara në burime të deformuara pretendimet e Farage se “1 në 48 shqiptarë në Britani janë në burg”.
Duke cituar gjyshen e tij se “të gabosh është njerëzore, por të ngulmosh në gabim është djallëzore”, Rama akuzoi Farage se po përdor një retorikë manipuluese. Ai argumentoi se problemi kryesor qëndron te shifrat e popullsisë. Sipas kryeministrit, në Britani nuk jetojnë 53 mijë shqiptarë siç pretendohet, por rreth 140 mijë, çka e ul raportin e të burgosurve në më pak se 1 në 100.
“Censusi juaj është qesharak”, shkroi Rama, duke theksuar se edhe gazeta britanike “The Telegraph”, e cila ishte burimi i Farage, e kishte pranuar se analiza mund ta ketë nënvlerësuar numrin real të shqiptarëve.
Kryeministri shtoi se diaspora shqiptare nuk duhet të përdoret si një statistikë për retorikë politike. “Ata janë studentë, ndërtues, sipërmarrës, profesionistë… nëse një në një mijë dështon, kjo nuk e bën shumicën fajtorë për konfuzionin tuaj kombëtar,” deklaroi ai.
Në fund të mesazhit të tij, Rama përsëriti ftesën që i kishte bërë më herët politikanit britanik, duke i thënë se meqë gaboi në pretendimet e tij, e pret në Shqipëri si “mysafir nderi”. Duke e shoqëruar postimin me një imazh të krijuar nga inteligjenca artificiale ku shfaqej në një bregdet, ai e ftoi Farage “të vijë në Tiranë për të ndarë diellin, mikpritjen dhe faktet e vërteta”, si për të theksuar tonin ironik, por edhe miqësor të përgjigjes së tij, raporton lajmishqip.