PZAP gjobit VV-në për dy shkelje: fëmijë në fushatë dhe thyerje të heshtjes zgjedhore

3 minutes, 8 seconds Read
Banner Description

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka gjobitur me 5 mijë e 500 euro, në dy raste të ndara Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje gjatë ditës së zgjedhjeve, të dielën më 28 dhjetor.

PZAP e ka pranuar pjesërisht ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke konstatuar shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë ditës së votimit në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Në vendimin e marrë më 30 dhjetor 2025, PZAP ka vendosur që LVV-ja të dënohet me gjobë prej 4,500 euro, për shkak të përdorimit të fëmijëve në fushatë zgjedhore dhe thyerjes së heshtjes zgjedhore në disa raste.

Sipas PZAP-it, ankesa e LDK-së është vlerësuar si e bazuar për:

Rastin 1, ku është konstatuar prezenca dhe përfshirja e fëmijëve nën moshën 15-vjeçare gjatë tubimit përmbyllës të LVV-së;

Rastet 3, 5, 6 dhe 9, që lidhen me thyerjen e heshtjes zgjedhore në ditën e votimit, përmes elementeve zgjedhore pranë qendrave të votimit dhe postimeve në rrjete sociale nga mbështetës të LVV-së me thirrje për votim.

Paneli ka vlerësuar se këto veprime përbëjnë shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullores Zgjedhore, pasi janë kryer gjatë heshtjes zgjedhore me qëllim ndikimin te votuesit.

Ndërkaq, PZAP ka refuzuar si të pabazuara pjesë të tjera të ankesës së LDK-së, përfshirë pretendimet për shfrytëzim të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në fushatë, si dhe disa raste të tjera të dyshuara për thyerje të heshtjes zgjedhore, duke vlerësuar se për këto raste nuk janë ofruar prova të qarta dhe bindëse.

Në arsyetimin e vendimit, PZAP ka theksuar se lartësia e gjobës është caktuar duke marrë parasysh natyrën e shkeljeve, peshën e tyre dhe ndikimin e mundshëm në procesin zgjedhor, si dhe praktikën e mëhershme për raste të ngjashme.

PZAP ka pranuar si të bazuar edhe ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 1,000 euro ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për shkelje të heshtjes zgjedhore në ditën e votimit.

Vendimi është marrë më 30 dhjetor 2025, pas shqyrtimit të ankesës së parashtruar nga AAK lidhur me një postim në rrjetin social Facebook të zyrtares së LVV-së dhe njëherësh asamblistes në Kuvendin Komunal të Rahovecit, Vlora Vuçitërna.

Sipas PZAP-it, Vuçitërna ka publikuar më 28 dhjetor 2025, gjatë procesit të votimit dhe brenda qendrës së votimit, një fotografi të shoqëruar me mbishkrimin “Unë nuk lëshoj pe!”, shprehje e cila, sipas Panelit, përkon drejtpërdrejt me sloganin zyrtar të fushatës së LVV-së “Mos lësho pe”.

Paneli ka vlerësuar se ky veprim përbën shkelje të nenit 37 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe të nenit 8 të Rregullores Zgjedhore 07/2024, të cilat ndalojnë çdo formë fushate, shfaqje të materialeve apo shfrytëzim të rrjeteve sociale me qëllim ndikimi tek votuesit gjatë ditës së votimit.

“Postimi në fjalë ka përmbajtje dhe kuptim të njëjtë me sloganin e subjektit politik LVV dhe paraqet mesazh mobilizues në ditën e zgjedhjeve”, thuhet në arsyetimin e PZAP-it.

Pretendimet e LVV-së se bëhej fjalë për një shprehje të zakonshme gjuhësore dhe jo për veprim propagandues, Paneli i ka vlerësuar si të pabazuara, duke theksuar se ato nuk janë mbështetur me prova konkrete.

Me këtë vendim, LVV-së i shqiptohet gjobë prej 1,000 euro, ndërsa sipas ligjit në fuqi, kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesë.

Publikime te ngjashme